Ambasadori i Izraelit në Serbi tregon se pse refuzuan ta njihnin Kosovën për 12 vjet

Ambasadori i ri i Izraelit në Serbi, Jahel Vilan ka thënë se Izraeli ende nuk e ka njohur teknikisht Kosovën, por ka theksuar se procesi i njohjes është duke vazhduar dhe as që mund të kthehet mbrapsht.

I pyetur se pse Izraeli ndryshoi mendim për pavarësinë e Kosovës pas 12 vitesh refuzimi për ta njohur atë, Villan tha se kishte dy arsye pse njohja e Kosovës ishte problem – e para, sipas tij, ishte se njohja e një lëvizjeje të tillë mund të shfrytëzohej nga palestinezët, dhe si arsye tjetër, ka përmendur marrëdhënien me Serbinë, transmeton Gazeta Express.

“Procedurat nuk kanë mbaruar, nuk ka pasur takime midis zyrtarëve, shënimet diplomatike nuk janë shkëmbyer, por kjo nuk do të thotë që procesi nuk është duke vazhduar ose që mund të kthehet mbrapsht”, tha Vilan në një intervistë për “Politika”.

I pyetur nëse bisedoi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq për transferimin e ambasadës së Serbisë në Jeruzalem, Vilan u përgjigj se nuk u diskutuan detaje.

“Izraeli i është mirënjohës z. Vuçiq për atë që ai ka bërë për marrëdhëniet tona dhe për vendimin e tij të bërë para samitit të Washingtonit për të hapur një zyrë ekonomike në Jeruzalem, që është një veprim i rëndësishëm jo vetëm ekonomik por edhe politik për të dy vendet”, tha Vilan.

Në marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, Kosova iu zotua presidentit amerikan, Donald Trump për njohjen e Izraelit dhe vendosjen e ambasadës në Jerusalem, teksa fitoi njohjen nga Izraeli.