Eksperimenti i Finlandës, qentë zëvendësojnë tamponët e COVID-19


Tamponet janë bërë të detyrueshëm për të gjithë personat që duan të udhëtojnë nga një vend në një tjetër, por Finlanda po provon një metodë tjetër për të identifikuar personat e prekur nga COVID-19.

Autoritetet finlandeze po përdorin qentë e trajnuar për të nuhatur pasagjerët si pjesë e një testi në aeroportin “Vantaa” të Helsinkit, pasi kafshët kanë aftësinë ta nuhasin koronavirusin te njerëzit para se të shfaqen simptoma.

“Qentë janë të aftë të nuhasin koronavirusin te njerëzit pesë ditë para se ata të shfaqin simptoma”, ka thënë për Reuters, Anna Hielm-Bjorkman, profesoreshë në Universitetin e Helsinkit, e cila është drejtuese e këtij testi.

“Ata janë shumë të aftë në zbulimin e koronavirusit. Janë shumë afër zbulimit 100% të koronavirusit”, shtoi ajo.

Por si realizohet testimi? Pasagjerët fshijnë qafën me një rrobë dhe ajo nuhatet nga qeni, me testin që do vetëm 1 minutë të realizohet. Kjo metodë është ende në fazën e testimit, me të gjithë personat që kryejnë edhe tamponin.