“Liqeni Trump”, eurodeputetja gjermane: Është gjë 1 Prilli sot?

Liqeni i Ujmanit mund të quhet “Liqeni Trump”. I dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, thotë se palët janë dakord, por zyrtarë të Bashkimit Europian nuk e mbështesin këtë ide.

Viola von Cramon, deputete e Parlamentit Evropian dhe raportuese për Kosovën, e cilëson si të pakuptimtë një ide të tillë dhe ngre dyshime se Kosova po përdoret për fushatën e Donald Trump që po kërkon një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

“Është gjë sot 1 Prilli? Si mundet që dikush të japë diçka të tillë në shenjë mirënjohje për marrëveshjen? Thjesht pjesë e fushatës së Trump”, shkruan eurodeputetja gjermane.

I dërguari special i Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell thotë se emërtimi i liqenit ka qenë një çështje serioze e diskutimeve mes dy vendeve.

“Si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi ka qenë një pikë serioze diskutimi në dialog, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të bëhet një studim i fizibilitetit që të krijohen vende të reja pune në regjion. Andaj të dyja palët vendosën që ta quajnë: Liqeni Trump”, shkruan Grenell.

Kurse Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka “përgënjeshtruar” Grenell duke zbuluar se në fakt nuk ka qenë një dakordësi mes Kosovës dhe Serbisë por një propozimi i tij.

“Kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”, shprehet Hoti.