Republika e Çekisë regjistroi 2.394 raste të reja të të infektuarve me koronavirus, shifër kjo që shënon rritjen e dytë më të lartë ditore që nga fillimi i pandemisë së COVID-19.
Numri i rasteve të reja me koronavirus është dyfishuar gjatë muajit shtator, duke shënuar shkallën e dytë më të shpejtë të përhapjes së virusit në Evropë, pas Spanjës.
Që nga muaji mars, në Çeki janë regjistruar 53.158 raste të të infektuarve.
Autoritetet kanë rivendosur disa masa për të parandaluar përhapjen e virusit, duke përfshirë mbajtjen e maskës dhe, nga e enjtja (23 shtator), kufizime më të rrepta në orët e punës për baret dhe restorantet.
Më 21 shtator, ministri i Shëndetësisë në Republikën Çeke, Adam Vojtech, tha se ka dorëzuar dorëheqjen e tij te kryeministri Andrej Babis.
Dorëheqja vjen pas kritikave në rritje për trajtimin e pandemisë së koronavirusit në Çeki.