Vendet evropiane kanë ndërmarrë masa të reja kufizuese për shkak të koronavirusit, një ditë pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se rastet e infektimit kanë filluar të përhapen sërish në mbarë kontinentin evropian me “ritme alarmuese”.
Në Spanjë, ku ka mbi 620 mijë raste, më shumë se në çdo vend tjetër evropian, qeveria rajonale e Madridit urdhëroi vendosjen e masave të ndalim-qarkullimit që nga e hëna në disa prej zonave më të varfëra, pas një rritjeje të ndjeshme të rasteve të atjeshme. Megjithëse do të vendosen masa kufizuese në këto zona, njerëzve do t’u lejohet të shkojnë në punë.
Autoritetet në Nisë të Francës kanë ndaluar mbledhjet e më shumë se 10 personave në hapësirat publike, si dhe kanë shkurtuar oraret e funksionimit të bareve, pasi vendosën kufizime të reja këtë javë për Bordonë dhe Marsejën. Britania tha se po shqyrton mundësinë e masave të reja izoluese në mbarë vendin pasi pati pothuajse një dyfishim të rasteve më të fundit, 6 mijë në ditë, të konstatuara gjatë javës së fundit.
Ministri britanik i Shëndetësisë Matt Hancock tha se një bllokim tjetër duhet të jetë mjeti i fundit, por se qeveria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të përmbajtur virusin. 15 milionë njerëz ndërkohë do t’i nënshtrohen izolimeve të pjesshme lokale. Izraeli nisi të premten një izolim të dytë për shkak të një kërcimi të shpejtë nga rritja e numrit të rasteve të koronavirusit. Në Indi ndërkohë u raportuan 24 orët e kaluara 96424 infeksione të reja dhe më shumë se 1000 viktima të Covid-19.
Në Amerikën e Veriut, Kanadaja ka vendosur të zgjasë mbylljen e kufirit të saj me Shtetet e Bashkuara për udhëtime jo-thelbësore deri më 21 tetor, pasi ka parë një rritje të infeksioneve në javët e fundit./TCh/