Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka treguar versionin e tij për incidentin që ndodhi sot në Deçan, atje ku u zbulua shtatorja e Beg Rizajt.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se incidenti u spekulua nga mediat, pasi sipas tij, mosmarrëveshja nuk kishte të bënte asgjë me të, përcjell Bota sot.
Ai ka thënë se ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.
Reagimi i plotë i Haradinajt:
Sot, në 19-vjetorin e çlirimit të Deçanit përkujtuam flijimin për liri të luftëtarëve nga e gjithë shqiptaria.
Më këtë rast, disa media kanë spekuluar, se ka pasur reagime të vëllaut të Beg Rizajt drejtuar ndaj meje.
I siguroj qytetarët e Deçanit dhe publikun e gjërë, se mosmarrëveshja nuk kishte të bënte asgjë me mua.
Ndërhyrja ime ishte në funksion të qetësimit të situatës, për të ruajtur figurën e luftëtarit tonë të lirisë.