Veliu: I kërkova Kurtit t’i mbyllë kazinot në Karaçevë, por nuk lejoi


Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka reaguar pasi Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, tha se disa kazino në Karaçevë të Kamenicës janë ndërtuar në kohën e Qeverisë Kurti.

Sipas Rexhajt, deklaratat e Veliut janë të pavërteta, meqenëse në atë kohë ka qenë mbyllje totale dhe qytetarët nuk mund të kenë shkuar në kazino.

“Ministri ilegal, po thotë edhe të pavërteta. Deklarata e juaj që hapja e kazinove në kohën e qeverisë Kurti është për me qeshë. Në atë kohë ka qenë kohë pandemie, dhe aq qenë mbyllje totale. Mos gënjeni kaq hapur, sepse nuk i takon një ministri me gënjy kështu”, ka thënë Rexhaj.

Pas këtyre deklaratave, e ka marrë sërish fjalën Veliu, i cili ka treguar se si në muajin shkurt ka kërkuar nga ish-kryeministri Albin Kurti, që të bëhet një operacion për mbylljen e kazinove atje, por që thotë se Kurti nuk kishte dhënë leje.

“Është fakt i vërtetë që gjatë Qeverisë Kurti janë ndërtuar dhe kanë funksionuar pa pengesë të gjitha kazinotë. Në muajin shkurt nga shefi yt kam kërkuar që të bëhet operacion që të ndalojmë punën e kazinove, por nuk ka leju. Shko pyete”, ka thënë Veliu duke iu drejtuar Rexhajt.