Shkollat e mesëm ultimatum MASH-it: Pa mësim të kombinuar, bojkotojmë (VIDEO)


Shkollarët e mesëm i japin ultimatum Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës: deri më 15 shtator të pranojë kërkesën për mësim të kombinuar, në të kundërt paralajmërojnë bojkotim të vitit shkollor. Blendi Hodai zotohet se Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat demokratik që të rrisë numrin e shkollave të mesme që do të realizojnë mësim sipas modelin që kjo organizatë e propozon.

“Unioni i nxënësve pret deri më 15 shtator që të ketë një qëndrim final nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës edhe pse më dihet se mësimi kryesisht do të vijojë nga distanca, respektivisht nga shtëpia. Gjithsesi me shumë gjasë bojkoti është i paevitueshëm, por gjithsesi këtë periudhë Unioni i nxënësve është duke u munduar që nëpërmjet amendamenteve dhe lobimit të ndryshojë vendimet që merren dhe janë duke u marrë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës- deklaroi Blendi Hodai, UNSHM

Forumi Rinor Arsimor shprehet se nxënësit e shkollave të mesme profesionale dhe nxënësit me aftësi të posaçme duhet të jenë në mesin e grupeve prioritare që do të vijojnë mësimin me prani fizike, meqë përderisa për nxënësit tjerë mund të gjendet ndonjë zgjidhje, për këto dy grupe nxënësish nuk ka hapësirë për alternativa. Kryetarja e Forumit thotë se megjithëse institucionet kanë pasur më shumë se gjysmë viti, ndërsa është vonuar platforma për mësim online.

“Definitivisht u vonua, sepse nuk është diçka për të cilën nuk e dinim se nuk do të ndodhte. Përderisa të gjithë ne e dinim se mësimi do të vazhdojë “online” sigurisht institucionet e dinin para nesh. Ma merr mendja se tani bëhen përpjekje, megjithatë përfundimisht janë vonë. Vetë shtyrja e vitit shkollor për një muaj, është tregues se mbase nuk ishim vërtetë të përgatitur, që në shtator të përballemi me këtë- pohoi Stefani Spirovska, Forumi Rinor Arsimor.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikës, në vend ka 987 shkolla fillore dhe 132 të mesme, por një numër tejet i vogël prej tyre kanë bërë kërkesë në MASH për mësim me prani fizike. Ndërkohë Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paralajmëruar se së shpejti do ta prezantojë platformën e përbashkët për mësim online.

Anesa Salihu