OBSH-ja: Bota të nxjerrë mësime nga COVID-19 për pandemi të tjera


Vendet që forcuan sistemin e tyre të kujdesit shëndetësor vitet e fundit kanë përballuar më mirë pandeminë e COVID-19, tha të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në konferencën e tij të përditshme, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus u kërkoi vendeve të mësojnë nga pandemia aktuale për t’u përgatitur për një pandemi në të ardhmen. Ai vlerësoi Tajlandën, Mongolinë, Senegalin dhe vendet e tjera për përgjigjen e tyre ndaj virusit.

“Shumë nga këto vende kanë bërë mirë sepse ata mësuan nga shpërthimet e mëparshme të virusit SARS, MERS, fruthit, poliomelitit, Ebolës, gripit dhe sëmundjeve të tjera”, tha ai. “Kjo është arsyeja pse është jetike që të gjithë të nxjerrin mësime nga kjo pandemi”.

Shifrat globale
Ndërkohë të hënën, India e kaloi Brazilin si vendi me numrin e dytë më të lartë të rasteve të konfirmuara të koronavirusit. Ministria e shëndetësisë njoftoi një rekord prej 90,802 rastesh të reja të hënën, duke i dhënë Indisë një total prej më shumë se 4.2 milionë rastesh që nga fillimi i shpërthimit. India shtoi gjithashtu 1,016 vdekje të hënën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të tyre në 71,642.

Brazili raportoi 14,521 raste të reja të dielën, dhe ndërsa tani pason Indinë për sa i përket rasteve të përgjithshme, vendi pason vetëm Shtetet e Bashkuara për sa i përket vdekjeve me 126,650 viktima nga COVID-19. Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën me rreth 6.3 milionë raste të konfirmuara dhe 189,000 vdekje. Në Australi, zyrtarët në shtetin e Viktorias thanë të hënën se kishte 41 raste të reja, rritja më e ulët një-ditore që nga fundi i qershorit. Viktoria ka luftuar për të kontrolluar atë që ka qenë shpërthimi më i madh i COVID-it në Australi. Autoritetet vendosën kufizime lëvizjesh në fillim të gushtit dhe me përparimin e parë që nga ajo kohë, njoftuan të dielën disa relaksime të rregullave.

Vaksina
Kryeministri Scott Morrison gjithashtu tha të hënën se Australia ka një marrëveshje me kompaninë CSL për të prodhuar dy vaksina të koronavirusit, nëse ato provojnë të jenë të sigurta dhe efektive në prova klinike. Një vaksinë e mundshme është duke u zhvilluar nga kompania CSL dhe është planifikuar të kalojë në fazën e dytë të provave klinike më vonë këtë vit.

Vaksina tjetër është një projekt i përbashkët midis kompanisë AstraZeneca dhe Universitetit të Oksfordit aktualisht në prova të fazës së vonshme. Zoti Morrison tha të hënën se kompania CSL do ta prodhojë atë vaksinë gjithashtu për shpërndarje në Australi dhe se ai pret që 3.8 milionë doza të jenë në dispozicion në janar ose shkurt 2021. Izraeli po fillon mbylljet e pjesshme gjatë natës në 40 qytete dhe qyteza me nivelet më të larta të infeksionit në vend. Shkollat në ato zona gjithashtu do të mbyllen, dhe tubimet do të jenë të kufizuara në 10 persona brenda dhe 20 jashtë. “Unë e di që këto kufizime nuk janë të lehta, por në situatën aktuale nuk ka asnjë shmangie prej tyre,” tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një deklaratë.