Vaksina e Putinit refuzohet nga punonjësit kyçë


Vladimir Putin njoftoi miratimin e vaksinës ruse të koronavirusit më 11 gusht, me shumë pompozitet duke thënë se ajo ishte efikase dhe krijonte imunitet stabël.

E nga e dinte ai këtë? Vetë Putin tha se një nga vajzat e tij e kishte marrë vaksinën, kishte patur vetëm pak temperaturë, por në fund ndjehej mirë. Autoritetet ruse përzgjodhën mësuesit, mjekët dhe punonjësit e domosdoshëm, si të parët që do të merrnin vaksinën, madje para se testimet e fazës së tretë tek njerëzit të fillonin. Por duket se jo gjithçka shkoi mirë, me disa punonjës së vijës së parë të frontit, që nuk janë bindur për efikasitetin e vaksinës dhe hezitojnë të përdoren si kavie.

Më 1 shtator, kur shkollat në rusi u rihapën, pasi u mbyllën në mars, mësuesit duhej të ishin të parët mes atyre që do të merrnin vaksinën ruse. Por, sipas CNN, vetëm pak prej tyre janë vaksinuar deri më tani. Madje, një sindikatë mësuesish ka krijuar edhe një peticion online që i kërkon të gjithë anëtarëve të refuzojnë vaksinën për shkaqe sigurie, duke shprehur shqetësim se vaksinimi, që aktualisht është vullnetar, nuk duhet të bëhet i detyrueshëm deri sa testimet klinike të përfundojnë.

E njëjta situatë është edhe në kampin e shëndetësisë. Disa mjekë, kanë shprehur shqetësime, ndonëse në kushte anonimiteti, për vaksinën. Ata nuk e dinë se kur vaksina do të mbërrije tek ta, por thonë se shumë pak preh tyre do të kenë kurajën ta refuzojnë, për shkak të frikës për vendin e punës. Sondazhet ndërkohë kanë treguar se gjysma e qytetarëve rusë kanë dyshime për vaksinën. E zhvilluar nga Instituti Gamaleya, vaksina Sputnik V, u konsiderua triumfi i radhës i Rusisë, i ngjashëm me atë të lëshimit të satelitit të parë në botë.