Grenell: 99.9% të marrëveshjeve janë të njëjta, përveç pikës së fundit


I dërguari i posaçëm i presidentit amerikane për bisedimet Kosovës-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se Kosova dhe Serbia të premten pasdite në Washington kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, duke theksuar se nuk kanë nënshkruar kurrfarë marrëveshje me SHBA-të. I pyetur nga gazetarët nëse edhe presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar diçka, Grenell është përgjigjur duke thënë “se është e vërtetë”.

“Ai ka nënshkruar vetëm konfirmimin se do të punojnë së bashku në realizimin e marrëveshjes”, ka thënë Grenell.
E kur gazetarët insistuan që të shpjegoj se çfarë saktësisht kanë nënshkruar të dy palët, Grennel tha se “dy palët kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për normalizimin e raporteve ekonomike”.
Grenell i pyetur nëse marrëveshjet e njëjta janë nënshkruar nga të dyja palët, ish-ambasadori amerikan në Gjermani theksoi se “99.9 për qind janë të njëjtë, përveç pikës së fundit”.

“Serbia do të zhvendos ambasadën e saj deri në qershor të vitit të ardhshëm (në Jerusalem) – është pjesë e marrëveshjes, e sa i përket Kosovës, është gjithçka njëjtë deri te pika e fundit ku theksohet se do të ketë njohje reciproke me Izraelin”, ka shtuar Grenell.

“Para se gjithash, nuk do të tentoja të shpjegoja çfarë mendoi presidenti Aleksandar Vuçiq kur iu drejtuar mediave serbe. Atë çfarë ka thënë në sallën për takime është se bëhet fjalë për një marrëveshje historike që do të normalizoj rajonin. Ka folur për zonën e Mini-Shengenit. Sa i përket pikës 10, është e gabuar të thuhet se ka ekzistuar pika e 10-të. Asnjë prej tyre nuk ka qenë e renditur me numra, nuk e di nga doli kjo”, ka thënë për fund Grenell.