Vjosa Osmani i gëzohet njohjes së Izraelit, rendit dëmet nga marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë


Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka dhënë dy vlerësime për marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë. Së pari, e ka përshëndetur njohjen e ardhur nga Izraeli e ndërmjetësuar nga Donald Trump dhe e konfirmuar nga një telefonatë ndërmjet Avdullah Hotit dhe Kryeministrit izraelit, Benjamin Netaynjahu.

“Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës”, ka shkruar Osmani, në një reagim në Fb, gati një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes. Ajo ka thënë se delegacioni i Kosovës dështoi në Amerikë t’i sjellë Kosovën njohjen e premtuar.

“Në anën tjetër, delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit qe një kohë të gjatë: – Njohjen e ndërsjellë me Serbinë; – Mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani); – Mospranimin e Mini-Schengenit (ose siç e quanin mini-Jugosllavi); Mosprekjen e kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë (meqë për 1 vit u hoq dorë dhe u shpall moratorium mbi nenin 17 të kushtetutës dhe nenet 8 e 9 të deklaratës së pavarësisë) – Rezultate konkrete për të pagjeturit; – Dëmshpërblim për reparacionet e luftës; – Përgjegjësi të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë; – Eliminim të plotë të barierave jotarifore që Serbia i ka vënë Kosovës”, ka shkruar ajo.

Reagimi i Osmanit vjen pasi ajo nuk është konsultuar fare nga delegacioni i Kosovës që shkoi në Amerikë. Osmani po vazhdon të mbajë kurs opozitar në raport me Kryeministrin dhe Qeverinë derisa po vazhdon t’i përkrahë qëndrimet e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes. Ditë më parë, Kurti tha se kur të shkohet në zgjedhje do të shihet bashkëpunimi me Vjosa Osmanin.