Medojeviq: Një nga vendimet e para të qeverisë së re malazeze të jetë tërheqja e njohjes së Kosovës


Lideri i Nismës për ndryshime në Mal të Zi, e që është pjesë e koalicionit opozitar “Për të ardhmen e Malit të Zi”, Nebojsha Medojeviq, ka thënë se qeveria e ardhshme e këtij vendi nuk guxon të marrë asnjë vendim që nuk i pëlqen Serbisë.

Koalicioni ku bën pjesë ai, së bashku me lëvizjen “E zeza mbi të bardhën”, që udhëhiqet nga shqiptari Dritan Abazoviq, është paralajmëruar se do të formojnë qeverinë e re.

Dhe Medojeviq thotë se një nga vendimet e para që duhet të merren është tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi.
“Jemi dy shtete të ndryshme, por historia dhe interesat reale tregojnë se ne me Serbinë kemi lidhje të veçantë. Po ta udhëhiqja unë Qeverinë, gjëja e parë që do të bëja ishte tërheqja e njohjes se pavarësisë së Kosovës. Njohja e pavarësisë ishte turpi më i madh i pushtetit që po shkon. Mali i Zi nuk guxon të bëjë asnjë veprim që do të binte ndesh me interesat e Serbisë”, ka thënë Medojeviq, përcjell portali malazez CDM.