Arabia Saudite dha leje të mërkurën që të gjithë aeroplanët që fluturojnë nga dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, të mund të përdorin hapësirën e saj ajrore, përpara nisjes së njoftuar të trafikut ajror midis Emirateve dhe Izraelit.
Fluturimi i parë zyrtar midis dy vendeve u zhvillua të hënën, kur këshilltari i lartë e njëherësh dhëndëri i Presidentit Trump, Jared Kushner, ne përbërje të një delegacioni izraelit, mbërritën në Abu Dhabi nga linja ajrore izraelite El Al, pas një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Leje fluturimi nga të gjitha vendet
Ky ishte fluturimi i parë komercial izraelit që mori leje për të përdorur hapësirën ajrore të Arabisë Saudite, raportojnë mediat.
Një deklaratë nga Riadi zyrtar tha se Arabia Saudite do të “lejojë të gjitha fluturimet nga të gjitha vendet” në të gjithë territorin e saj gjatë rrugës për në Emiratet e Bashkuara Arabe.