Kryetari i Komunës së Kriva Pallankës, Borjanço Micevski, në profilin e tij në fejsbuk publikoi se është pozitiv në koronavirus. Ky është rasti i tretë i të infektuarve me Kovid-10 në komunë për çka vetëqeverisja nuk do të punojë deri më nëntë shtator.
“Miq të nderuar, familjarë dhe bashkëqytetarë
Ju informoj se pas paraqitjes së rastit të dytë pozitiv të Kovid-19 nga radhët e administratës komunale, dje me iniciativën time e bëra testin i cili doli pozitiv. Për këtë arsye gjatë periudhës së ardhshme do të tërhiqem në izolim shtëpie. Në të njëjtën kohë të gjithë të punësuarit nga sot deri më nëntë shtator do të lirohen nga obligimet e punës, ndërsa komuna nuk do të punojë përveç për raste urgjente dhe të paanulueshme”, shkroi Micevski në Fejsbuk, duke ju bërë thirrje të gjithë qytetarëve t’i respektojnë masat dhe rekomandimet e autoriteteve kompetente.
Micevski tani për tani është në gjendje të mirë shëndetësore ndërsa ka vetëm temperaturë të lehtë trupore. Ekipet e shërbimit higjieniko-epidemiologjik të Qendrës për Shëndet Publik, Kriva Pallankë tashmë janë duke bërë dezinfektimin e plotë të hapësirave të punës dhe autoparkut në komunë. Krahas kësaj, sot në Kriva Pallankë është regjistruar edhe një i prekur nga Kovid-19, person i gjinisë mashkullore në moshë prej rreth dyzet vjeç.