Me plazmën e gjakut janë trajtuar rreth 70 pacientë, rritet numri i donatorëve të paraqitur


Nga Instituti për Mjekësi të Transfuzionit informojnë se deri më tani janë siguruar 88 njësi të plazmës konvaleshente nga gjithsej 53 donatorë. Me plazmën e gjakut janë trajtuar rreth 70 pacientë. Për momentin, institucioni disponon me 16 njësi të plazmës konvaleshente e përgatitur nëse paraqitet nevoja për trajtimin e pacientëve.

“Çdo ditë rritet numri i donatorëve të paraqitur të plazmës konvaleshente prej personave të cilët janë shëruar nga koronavirusi. Altruizmi i tyre i lartë është t’u ndihmojnë pacientëve me pasqyrë klinike më të shprehur të Kovid-19. U bëj apel të gjithë pacientëve të mjekuar të dhurojnë plazmë që t’u ndihmojnë pacientëve të cilët për momentin luftojnë me virusin”, deklaroi drejtori i Institucionit, dr. Sedulla Useini.

Vetëm pacientët e shëruar nga koronavirusi mund të dhurojnë. Ata duhet të paraqiten përmes formularit elektronik në ueb-faqen e Institutit për mjekësi të transfuzionit.
“Le të jemi humanë, të shpëtojmë jetë njerëzish”, porosisin nga Ministria e Shëndetësisë.