Biserko: Edi Rama ishte politikani i parë që ishte pajtuar me marrëveshjen për ndarjen e Kosovës

Shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi, nuk gjendet në tryezën e bisedimeve mes të dyja vendeve. Kështu ka deklaruar në një intervistë, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Ajo ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, se ishte politikani i parë që ishte pajtuar me marrëveshjen për ndarjen e Kosovës.

“Një opsion ishte një marrëveshje me Tiranën për ndarjen e Kosovës. Kryeministri Rama është politikani i parë shqiptar që pajtohet me marrëveshjen. Ai minoi dialogun e Brukselit duke ridrejtuar energjinë politike për të kërkuar mbështetje për ndryshimin e kufijve në bashkësinë ndërkombëtare. Një grup personalitetesh të shquara ndihmuan në legjitimimin e një opsioni të tillë. Ata pothuajse patën sukses. Atmosfera ishte krijuar që ishte momenti i duhur për të arritur marrëveshjen sepse, siç u theksua, BE-ja po hynte në një fazë të pasigurisë, kur bëhet fjalë për Ballkanin. Në atë kohë, BE-ja po përballej me ndikimin në rritje të partive të krahut të djathtë, në zgjedhjet e ardhshme Evropiane”. Sonja Biserko

Ajo ka thënë se në takimin e 4 shtatorit që do të mbahet në Uashington, do të diskutohet për çështjet ekonomike dhe bashkëpunimin Kosovë-Serbi.

Sipas saj, përfaqësuesi special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak, do të përpiqet të arrijë një marrëveshje përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës brenda një viti. Por, ajo ka theksuar se Beogradi nuk është ende gati të bëjë një hap përpara dhe të heqë dorë nga Kosova.