Kryeministri Edi Rama ka reaguar përsëri për kufirin detar me Greqinë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama iu është përgjigjur kritikëve dhe qytetarëve të cilët mendojnë se Shqipëria po i fal hapësira detare shtetit grek. Në reagimin e tij kryeministri ka shpjeguar se qytetarët janë keqinformuar dhe se deklaratat e rreme po përdoren për pushtet nga subjektet politike.
Po ashtu, Rama ka theksuar se zgjerimi i Greqisë në kufijtë detar është një e drejtë e këtij shteti që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit miratuar në Montego Bay në vitin 1982.
Reagimi
LATINËT, GREKËT DHE DETI NË MES
Ignorantia non est argumentum, padituria nuk është argument thonë latinët.
Por fatkeqësisht sot, në kohën kur informacioni filtrohet gjithnjë e më pak në sitën e të vërtetës; kur çdokush mund të hedhë çfarë t’i teket në rrjetin mediatik të ajfonit të vet dhe kur lumenjtë e informacionit sjellin me furi gjithëfarësoj lajmesh të vërteta e të rreme përzier; kur e vërteta dhe rrena e kalojnë njësoj lumin dhe kur për më tepër mjedisi politik e mediatik është i infektuar keqaz botërisht nga virusi i shpifjes – fake neës – padituria nuk lu*ftohet më si më parë po ushqehet gjithnjë e më shumë sipas interesave të informatorëve të të gjitha niveleve e kategorive.
Rast tipik “falja e detit grekut” “marrja e detit nga greku” “ikja e detit tek greku” që është kthyer si ato këngët e vjetra që ringjallin emocione sa herë na dalin në youtube pavarësisht se është një sajesë e vjetër tanimë, qyshse negociatat tona me palën greke po materializoheshin në një dokument konkret bazuar mbi normat ndërkombëtare dhe të drejtën e detit.
Deformimi skandaloz që iu bë asokohe një deklarate publike të Ministrit të Jashtëm grek për “zgjerimin nga 6 në 12 milje të ujrave detare të Greqisë” dhe su*lmi i orkestruar kundër marrëveshjes së re për detin, ishte tipik rasti i ushqimit të paditurisë si argument me helmin e nacionalizmit. E njëjta deklaratë krejt korrekte, e kryeministrit Micotaqis këto ditë po ushqen përsëri padinë si argument tradhëtie të qeverisë sonë!
E vërteta është e thjeshtë. Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujrat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982. Sa për dijeni të njëjtin zgjerim, në ushtrim të së njëjtës të drejtë, Shqipëria e ka bërë dhe e ka depozituar në mars të vitit 1990 në Kombet e Bashkuara, çka nuk është kontestuar asnjëherë nga fqinjët tanë dhe qëndron në fuqi sot e përgjithmonë.
Kjo e drejtë e jona nuk është çështje negociate dhe negociatat për delimitimin e hapësirave detare nuk e cënojnë dot assesi të drejtën në fjalë. As për Shqipërinë, as për Greqinë. Arsyeja pse nxitësit e sulmit kundër marrëveshjes sonë me Greqinë, e cila ende mbetet për t’u kryer në frymën e dialogut dhe të qasjes konstruktive nga të dyja palët, nuk e duan arritjen e marrëveshjes s’ka asnjë lidhje me të vërtetën e marrëveshjes që ende nuk është finalizuar. Ajo është thjesht, vetëm dhe mjerisht një arsye lu*fte për pushtet.
Por një gjë është e sigurtë dhe nuk e luan as topi: Ignorantia argumentum non est. Padituria nuk është argument. Nuk është as faj për sa kohë nuk përdoret si argument. Prandaj kushdo që është i interesuar për këtë çështje, s’ka pse bëhet bashkëfajtor me ata që detin e duan kos për orekset e tyre politike dhe që pa pikën e turpit, ushqejnë paditurinë me helmin e nacionalizmit. Por duhet t’i referohet burimeve serioze të informacionit e jo gojës së sharlatanëve politikë e të karagjozëve digjitalë duke u mbrojtur nga virusi i shpifjes me maskën e dijes.
Dhe nëse do t’i bjerë shkurt duhet ta mbledhë mendjen mirë për një fakt: Unë dhe Partia Socialiste, mund të kemi shumë të meta, mund të bëjmë plot gabime, por kurrën e kurrës nuk e përdorim pushtetin në dëm të interesit kombëtar! Ky virtyt e ka karakterizuar këtë parti qysh ditën e lindjes së saj dhe ndryshe nga të tjerët, të cilët nga padituria a babëzia ose nga të dyja bashkë, e kanë cënuar më shumë se njëherë interesin kombëtar në këto 30 vjet pluralizëm demokratik.