Kreditë, BP-ja shqyrton sërish shtyrjen e pagesave


Banka Popullore po shqyrton përsëri shtyrjen e kësteve të kredisë për qytetarët. Sipas informacioneve të Alsat, këtë javë bankat do të kenë takim me institucionet kompetente, pas së cilës do të merret vendimi përfundimtar gjatë javës tjetër. Për momentin janë duke u bërë analizat, ku merren parasysh situatat me pandeminë COVID 19. Nëse kjo masë nuk vazhdohet, qytetarët që kanë shtyrë pagesën e kredive dhe shumat për kartelat kreditore do të fillojnë t’i paguajnë përsëri nga 1 tetori. Vendimi për shtyrjen merret nga Banka Popullore, pas analizave dhe diskutimeve të mëparshme me bankat tregtare në vend.

Banka Popullore e RMV-së
“Vazhdimisht i ndjekim zhvillimet dhe, natyrisht, jemi të gatshëm t’i rregullojmë politikat siç duhet dhe të reagojmë në kohën e duhur në përputhje me kompetencat tona. Analizat janë duke u zhvilluar, mbi bazën e të cilave së shpejti do të merret një qëndrim për këtë çështje, duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve dhe stabilitetin e sistemit bankar.”

Bankat nuk kanë qëndrim final nëse duhet përsëri të ketë ngrirje të obligimeve të kredive. Por, janë të gatshëm t’u dalin në ndihmë qytetarëve, nëse ka nevojë.
Asociacioni i Bankave të Maqedonisë
“Anëtarët e Asociacionit të Bankave të Maqedonisë shqyrtojnë nevojën dhe mundësinë për ndihmë të mëtutjeshme të popullatës dhe biznesit, por për momentin ende nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar. Asociacioni është tërësisht i përkushtuar për gjetjen e zgjidhjes për tejkalimin e problemeve të shkaktuara nga kriza”.

Pasi u miratua kjo masë në fillim të muajit prill, 70% e qytetarëve vendosën që pagesën e kësteve për kreditë ta shtyjnë për 6 muaj. Për këto gjashtë muaj, banka llogarit normë mujore interesi mbi pjesën e mbetur të kredisë gjegjësisht në bazë të planit të ri amortizues, pas çka norma e interesit në mënyrë të barabartë do të shpërndahet në këstet tjera deri në mbarim të kredisë.