6 të vdekur dhe 175 mijë të evakuuar nga zjarret në Kaliforni


Të paktën gjashtë njerëz kanë humbur jetën dhe 175 mijë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre ndërsa zjarret po shkrumbojnë pjesë të Kalifornisë. Disa nga zjarret janë nga më të mëdhenjtë në historinë e atij shteti.
Zjarret kanë shkrumbuar një hapësirë prej më shumë se 3’120 kilometra katrorë që nga 15 gushti, thotë Jeremy Rahn me Departamentin e Pyjeve dhe Mbrojtjen nga Zjarret në Kaliforni. Sipërfaqja e djegur është më e madhe se shteti Rhode Island, thanë autoritet.

Më shumë se 12 mijë zjarrfikës po luftojnë me 560 zjarre, përfshi disa dhjetëra zjarre të mëdha të rëna nga fundjava e kaluar. Shumica e vatrave të zjarrit ndodhen në pjesën veriore të Kalifornisë.
Mëngjesin e së premtes u njoftua për një përparim me rreth 10 përqind në vënien në kontroll të dy zjarreve më të mëdha.

Vik*timat
Mes të vdekurve ishin tre njerëz të gjetur të mërkurën në një shtëpi të djegur në qarkun Napa. Po ashtu të mërkurën u gjet i vdekur një burrë në qarkun Solano, një punonjës i ndërmarrjes elektrike dhe një pilot me misionin për të hidhur ujë mbi zjarret në qarkun Fresno. Ai humbi jetën kur helikopteri i tij u rrëzua.
Njoftohet se 43 zjarrfikës dhe banorë të tjerë janë lënduar ndërsa 500 shtëpi dhe ndërtesa janë shkatërruar.

Zbatimi i urdhërave
Autoritetet lokale u kanë kërkuar banorëve që të zbatojnë urdhërat për evakuim për të mbrojtur veten dhe hapur rrugën zjarrfikësve. Disa përpjekje të banorëve për të luftuar zjarret kanë rezultuar në operacione shpëtimi, duke devijuar burimet.

Ndihma nga shtetet e tjera
Guvernatori Gavin Newsom thotë se po koordinon me qeverinë federale për të deklaruar një katastrofë federale, çfarë do të ndihmonte në sigurimin e më shumë burimeve. Kalifornia po ashtu ka kërkuar ndihmë nga Australia dhe Kanadaja, tha ai, dhe po bisedon me guvernatorët e rreth 10 shteteve të tjera përmes sistemit të ndihmës së ndërsjellë