Rusia teston vaksinën kundër koronavirusit, “Sputnik V”


Rusia njoftoi sot fillimin e javës tjetër të provave klinike, gjatë të cilave më shumë se 40 000 vullnetarë do të marrin pjesë për testimin e vaksinës së saj antiCOVID-19, “Sputnik V”.
“Javën tjetër do të nisë një studim klinik mbi efikasitetin dhe sigurinë e vaksinës “Sputnik V” në Rusi”, tha Fondi Sovran rus, bashkëpunëtor në zhvillimin e vaksinës, duke specifikuar se më shumë se 40 000 vullnetarë dhe 45 qendra mjekësore do të marrin pjesë në studim.

“Nga pikëpamja juridike, këto janë studime që po ndodhin pas regjistrimit të vaksinës më 11 gusht”, shtoi Fondi, duke sqaruar se ato mund të konsiderohen si një ekuivalent i fazës 3 të testimit.
Vaksina “Sputnik V”, e emërtuar sipas satelitit të parë artificial në histori, është parë me skepticizëm në të gjithë botën, në veçanti për shkak të mungesës së një faze përfundimtare të testimit në kohën e shpalljes së saj.