Marrëveshja e Përzhinës shkon në histori?! VMRO-DPMNE para zgjedhjeve ishte “pro”, kurse tani “kundër” shfuqizimit


Marrëveshja e Përzhinës me të cilën vendi hyri në krizë të thellë politike, ka gjasa të shkojë në histori. Nga kjo marrëveshje buroi Prokuroria Publike Speciale, e cila gjithashtu nuk ekziston më. Para zgjedhjeve, të dy liderët, Zaev dhe Mickoski u pajtuan për këtë.
-Nuk duhet të ekzistojë më. Disa herë e kam thënë këtë, hajde thojeni edhe ju. Qëndrimi im është se nuk duhet të ekzistojë më Qeveria e Përzhinës,- pohoi Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Në duelin që u mbajt para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Mickoski tha se ai ka qenë kundër Qeverisë së Përzhinës qysh kur u nënshkrua Marrëveshja e Përzhinës, por se për zgjedhjet e fundit parlamentare ka këmbëngulur që ky model të mos ekzistojë më, sepse nuk kanë pasur besim se si LSDM-ja do ta organizojë procesin zgjedhor.
-Absolutisht nuk kam asnjë problem që të mos ketë më Qeveri sipas Përzhinës,- deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Por, tani pasi përfunduan zgjedhjet, retorika ndryshon. Opozita thotë se vendimi i tillë nuk mund të sillet në mënyrë të njëanshme, sepse ka qenë marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës.

-Sa i përket shfuqizimit të qeverisë së Përzhinës dhe kryeministrit shqiptar, vetë modeli i Përzhinës ishte dakorduar midis opozitës dhe pushtetit. Zaevi nuk ka asnjë të drejtë pa u konsultuar me opozitën dhe faktorin ndërkombëtar, i cili ishte garantues i këtij modeli, ta shfuqizojë në mënyrë të njëanshme dhe të bëjë pazar me marrëveshjen për Qeverinë e tij,-VMRO-DPMNE
Sipas analistëve, modeli i Përzhinës është nën presion nga faktori ndërkombëtar, me qëllim që të shmangen manipulimet zgjedhore.

-Tani në këto zgjedhje u tregua mosfunksionimi, sepse kjo nënkupton vetëm mundësi që të hidhet përgjegjësia. Ju e patë si ishte gjithë kohën – Naqe është fajtor sepse policia nuk ka intervenuar, dikush tjetër është fajtor, jo Oliveri, por fajet i ka Naqe. Pra, vetëm hidhet përgjegjësia nga një person te tjetri dhe nuk dihet se kush është përgjegjës,-tha Aleksander Tortevski, avokat.
Modeli i Qeverisë së Përzhinës ishte vendosur për zgjedhjet e vitit 2016, sipas të cilit partia më e madhe opozitare 100 ditë para zgjedhjeve merr funksione në pushtetin ekzekutiv, mes të cilave edhe dy poste ministrore dhe tri vende të zëvendës-ministrave shtesë.