Viti shkollor mund të vonojë, nëse s’ka Parlament funksional dhe nëse rëndohet situata me Covid-19


Edhe pas disa takimeve të zhvilluara ndërmjet MASh dhe ekspertëve shëndetësorë ende nuk ka vendim definitiv për nisjen e vitit të ri shkollor.
Fati i nxënësve të klasës së parë dhe rihapja e shkollave varet nga situata epidemiologjike me Covid-19, dhe nga formimi i Parlament funksional. Nëse përkeqësohet situata me virusin dhe nëse nuk ka Kuvend funksional kjo nënkupton prolongim të këtij viti shkollor, deklaroi ministri i Arsimit, Arbër Ademi, pa definuar se sa mund të zgjasë prolongimi.

“Për cilindo qoftë model që të përcaktohemi nga këto tre modele, është e domosdoshme që të kemi ndryshime ligjore, në ligjin për arsimin fillor dhe arsimin e mesëm, që të kemi ndryshime ligjore duhet të kemi parlament funksional, që bëjnë me dije që mund të vijë edhe deri tek prolongimi i vitit shkollor, nëse nuk kemi parlament funksional, po mund të kemi porlongim të vitit shkollior edhe në qoftë se kemi përkeqësim të situatës epidemiologjike”, deklaroi Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

– Advertisement –

Përndryshe Ministri i Arsimit Ademi pohon se është për kthimin e nxënësve nëpër banka, por siç shprehet, kjo nuk varet nga ai.

“Gjithmon kur ka një numër më të vogël të nxënësve mund të organizohet një model i tillë mësimi nëpër klasa, ndërsa në shkollat ku kemi numër më të madh të nxënësve më tepër se 20 dhe ku distancë fizike prej 1.5 m nuk mund të sigurohet atëherë nxënësit do të ndahen në grupe më të vogla dhe ose do të organizohet mësimi në më tepër grupe, ose njëra prej grupeve do të ndjek mësimin me pjesmarrje fizike, derisa grupi tjetër brenda një jave do të ndjek mësimin online në kohë reale ku do të emitohet nëpërmjet mjeteve bashkëkohore të komunikimit elektronik, të gjitha leksionet e mësimdhënësve”, theksoi Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Profesori universitar Bashkim Ziberi, hodhi akuza ndaj institucioneve arsimore, që edhe 3 javë para se të nis shkolla, ende nuk i kanë definuar protkollet.
“Definitivisht nga pikëpamja ime ne jemi shumë vonë, në shumë aspekte realisht. Jo vetëm në aspektin e organizimit të procesit arsimor në shkolla fillore, të mesme dhe universitete, por edhe të përgatitjes paraprake për të pasur një vit shkollor të suksesshëm”, potencoi Bashkim Ziber, profesor universitar.
Ademi tha se po diskutohen tre modele të mundshme mësimi. Modeli i parë me pjesmarrje fizike, modeli i dytë nëpërmjet platformave online, dhe modeli i tretë është kombinim i dy të parave.