Jo vetëm për postin e kryeministrit shqiptar por LSDM-ja dhe BDI-ja nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët edhe për numrin e pozitave zyrtare që i kërkon Ahmeti prandaj edhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev dje doli me deklaratë se janë larg arritjes së një marrëveshjeje të përbashkët. Lideri i VMRO-DPMNE-së,Hristijan Mivkoski pohon se fare nuk ka filluar negociata me Ahmetin, edhe pse paraprakisht thoshte se bisedon me partitë për formimin e shumicës. Ai i hodhi poshtë pretendimet se në takimin me Ahmetin është pajtuar të ketë kryeministër shqiptar me rotacion 2+2, duke shtuar se kurrë nuk do të pranonte të negocionte nën diktat dhe kushtëzime.
“Ai tha se do t’i japë prioritet LSDM-së, si fituese në bllokun maqedonas. Unë i thashë se nuk pajtohem, sepse vlerësoj se ne jemi fitues. Por, në rregull, nëse ju mendoni se është ashtu negocioni, ju uroj shumë fat. U përshëndetëm dhe këtu përfundoi takimi. Kurse gjatë 45 minutave paraprake biseduam për disa tema nga karakter krejtësisht i ndryshëm”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Nga LSDM-ja thonë se ende po zhvillohen negociatat dhe se tani për tani ende nuk ka marrëveshje. Por, lidhur me atë nëse do ta pranojnë kërkesën e BDI-së për kryeministër shqiptar, thonë se mandatari i Qeverisë së re do të jetë Zaevi. Jozyrtarisht, BDI-ja këmbëngul që në vitin e parë në kolltukun e kryeministrit të ulet një shqiptar.
“E dini se po zhvillohen negociata dhe konsultime për formimin e shumicës parlamentare, për koalicion për Qeveri e cila do të ketë mandat 4-vjeçar. Në këtë moment, në të vërtetë nuk do të kisha dashur dhe nuk kemi mundësi të përgjigjemi për detajet”, potencoi Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.
Pas takimit të djeshëm që zgjati dy orë e gjysmë mes Zaevit dhe Ahmetit në Kuvend, të dy dolën thanë se janë larg arritjes së një marrëveshjeje, por shprehën bindje se së shpejti do të dalin me qëndrim të përbashkët dhe do ta formojnë Qeverinë e re. Sipas burimeve partiake, negociatat LSDM-BDI ende po rrjedhin, por në nivel të sekretarëve partiakë, Lupço Nikollovski dhe Artan Grubi.