LSDM, BDI, Besa dhe PDSH janë marrë vesh për të formuar shumicën parlamentare. Kështu thotë analisti politik Arben Llalla. Ai thotë se BDI ka lëshuar pe për kryeministrin shqiptar dhe se me 13 gushti do të formohet qeveria.
“Sipas asaj që shikoj ka përfunduar marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së ku pjesë është edhe PDSH-ja dhe Besa në një koalicion për të themeluar qeverinë. Mendoj se do të jetë 13 gushti si një ditë simbolike për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit në 2001-shin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Ndërsa tani kemi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO 13 gushti 2020 për stabilitet”. – deklaroi Arben Llalla, analist.
Sipas Lllallës kryeministri shqiptar ka qenë vetëm propagandë gjatë fushatës zgjedhore por nuk e hedh mundësinë që në kolltukun e kryeministrit 2 vite të ulet Nazer Zyberi dhe dy vite Zoran Zaev.
“Kjo ka qenë një joshje për votuesit është një fjalor i propagandës i fushatave që çdo lider i bën këto gjëra, nuk është diçka tragjike. BDI çdoherë ka lëshuar pe për stabilitet, paqe, për anëtarësimin në NATO. Është një praktikë që ka lëshuar pe edhe këtë herë do të lëshoj pe. Ashtu sikur edhe LSDM që do të lëshoj pe ku pamë një fjalor të ashpër të Zoran Zaevit ndaj BDI-së”. – deklaroi Arben Llalla, analist.
Sipas Llallës VMRO-DPMNE nuk është e gatshme për koalicion për shkak se duhet të çrëshnjosë njerëzit korruptiv të cilët ende kanë ndikim në parti. Por nga kjo parti nuk shpalosin detaje se me cilat parti kanë përafëruar qëndrimet.
“Ne po punojmë për të siguruar një shumicë në kuvend. Lidhur me takimet me partitë shqiptare, për momentin kur ato do të realizohen, ne do të informojmë publikun. Por për momentin nuk do të hyja në detaje”. – u shpreh Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE-ja.
Nga LSDM-ja thonë se nga bisedimet e zhvilluara me BDI-në për formimin e shumicës parlamentare janë dakorduar për disa pika. Ata nuk zbulojnë se me cilën parti po bëjnë negociata më serioze.
“LSDM ka filluar bisedime serioze, negociata rrënjësore me kryetarët e partive politike dhe me përfaqësuas të lartë të cilët do të jenë në përbërjen e re parlamentare, për formimin e një Qeverie demokratike dhe me përgjegjësi politike e cila me agjendë do të ketë ekonominë e re maqedonase”. – thanë nga LSDM-ja.
Nga koalicioni “Tash është koha” thonë se BDI duhet të shkojë në opozitë pasi nuk ka fuqi për ta bërë kryeministrin shqiptar, premtim të cilin e dhanë gjatë fushatës zgjedhore.