“Muaji korrik shënoi rritje të sërishme të gjuhës së rrejtjes në mediat sociale në kontekstin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe numrit të madh të rasteve me COVID-19 gjatë gjithë muajit. Gjithashtu, gjatë muajit, pati një rritje të madhe të qytetarëve të infektuar të rinj me COVID-19, gjë që shkaktoi një diskurs negativ që gjithashtu fitoi një karakter etnik si rezultat i numrit të pacientëve nëpër komuna”.
Kjo është theksuar në Raportin e Komitetit të Helsinkit për muajin korrik pas monitorimit të masave të Qeverisë, veçanërisht në kontekstin e respektimit të të drejtave themelore në kuadër të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, në të cilin në veçanti jepet një përmbledhje e zbatimit të masave dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë mbi qytetarët.
“Ngjashëm me muajt e kaluar dhe në përputhje me trendin e vendosur, vëmendja duhet të përqendrohet në trajtimin e krizës socio-ekonomike si pasojë e pandemisë – mbrojtja e komuniteteve të margjinalizuara, zbatimi adekuat i masave, mbikëqyrja dhe zbatimi përkatës. Në nivelin politik, mbizotëroi diskutimi rreth mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik 2020. Këto zgjedhje u mbajtën gjatë një pandemie globale dhe nën masa për të mbrojtur qytetarët”.
“Partitë politike kanë bërë përparim në prezantimin e platformave të tyre politike në mediat sociale, por mitingjet tradicionale nuk kanë munguar. Përveç rekomandimeve për mbrojtje, përmes monitorimit tonë në mediat sociale, mosrespektimi i masave është vërejtur nga disa prej të pranishmëve, si dhe mosndërmarrja e masave të duhura nga institucionet kompetente”, vlerësojnë nga Komiteti i Helsinkit.
Njëherit, tregojnë edhe në konstatimet paraprake të OSBE/ODIHR përmes misionit të tyre të vëzhgimit, i cili vuri në dukje se “zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 15 korrik në përgjithësi u zhvilluan në mënyrë efektive, edhe krahas aftësimeve si përgjigje e pandemisë COVID-19, por stabiliteti juridik ishte prishur me revizione thelbësore të Kodit zgjedhor dhe ad-hoc rregullores pasuese të miratuar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme.
“Fushata, megjithëse me një ton negativ, ishte me të vërtetë konkurruese dhe pjesëmarrësit ishin në gjendje të përçonin mesazhet e tyre përkundër kufizimeve të komunikimit të zakonshëm. Raportimit mediatik të zgjedhjeve i mungonte mbulimi kritik i platformave, ndërsa dispozitat lidhur me reklamimin e paguar politik i favorizuan tre partitë më të mëdha. Dita e zgjedhjeve kaloi pa probleme, përkundër sfidave teknike në njoftimin e rezultateve dhe vërejtjeve për regjistrimin e votuesve”, thuhet në vlerësimin paraprak.
Nga Komiteti i Helsinkit theksojnë gjithashtu në Raport edhe se në hije të zgjedhjeve ishte vërtetimi i Kornizës negociuese midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, i cili u prezantua gjatë Presidencës gjermane të Unionit më 1 korrik të vitit 2020.
“Korniza negociuese është rezultat i metodologjisë së re për negociatat aderuese që u miratua në mars të vitit 2020. Në aspektin e përmbajtjes, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet angazhimit politik ndaj procesit, sidomos në zbatimin e grupit të parë të kapitujve, që i përkasin demokracisë dhe sundimit të së drejtës, veçanërisht harmonizimit me politikat e Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, theksohet në raport.
Në dokumenti përmbahen edhe tema që lidhen me të drejtat e punëtorëve, diskriminimin, punëtorët e tekstilit, për barazinë gjinore dhe gjuhën e urrejtjes.