Kosova ka nisur negociatat me partnerët ndërkombëtarë që veprojnë në fushën e shëndetësisë si Agjencinë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për ta siguruar vaksinën kundër koronavirusit në momentin kur një vaksinë e tillë prodhohet dhe kualifikohet për përdorim te njerëzit, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.
Aktualisht në botë janë duke u zhvilluar mbi 100 vaksina potenciale kundër koronavirusit. Njëzetenjë vaksina janë në fazën e provave klinike dhe të gjitha vendet po përpiqen t’i sigurojnë ato. Vendet më të vogla dhe të varfra në përgjithësi përpiqen të sigurojnë vaksinën përmes skemave të përbashkëta ndërkombëtare siç është COVAX e udhëhequr nga OBSH-ja Koalicioni për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike (CEPI) dhe Gavi (Aleanca Globale për Vaksinat dhe Imunizimin).
Deri më tani 90 vende të varfra i janë bashkuar këtij projekti dhe 75 të pasura kanë shprehur qëllimin e tyre për ta financuar atë. Sipas OBSH-së, këto shtete së bashku përbëjnë 60 për qind të popullatës botërore. Kjo iniciativë synon të dërgojë në vendet pjesëmarrëse 2 miliardë doza të vaksinës që miratohet kundër sëmundjes COVID-19 të cilën e shkakton koronavirusi deri në fund të vitit 2021.
Sidoqoftë ende nuk ka një vaksinë të aftë për të mbrojtur miliarda njerëz njëherësh për t’i dhënë fund pandemisë së COVID-19 që ka marrë më shumë se 650 mijë jetë njerëzish. Zëdhënësi i Ministrinë së Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës Faik Hoti tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke punuar në drejtim të sigurimit të vaksinës kundër COVID-19 në momentin kur ajo të zbulohet. “Ministria e Shëndetësisë është duke bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë që veprojnë në fushën e shëndetësisë (OBSH dhe UNICEF) në mënyrë që në momentin që vaksina prodhohet dhe kualifikohet për përdorim te njerëzit të mund të sigurohet për mbrojtje të qytetarëve të Kosovës nga COVID-19” thotë Hoti.
Numri i vaksinave shton Hoti do të tentohet të jetë sa më i madh në mënyrë që në rast të një vaksinimi eventual të mbulohet secila kategori e popullatës që bie në grupet e rrezikut. Sipas tij në grupet e rrezikuara hyjnë: të sëmurët kronikë personat e moshuara gratë shtatzëna dhe kategoritë tjera që janë më të ekspozuara ndaj virusit përfshirë këtu edhe personelin shëndetësor.