Deputetja më e re është 23 vjeç, dy më të vjetrit kanë nga 72 vjet

Në përbërjen e re parlamentare deputetja më e re është 23 vjeçare ndërsa më të moshuarit janë 72 vjeç. Studentja Artina Qazimi, kandidate e koalicionit Tash Është Koha është deputetja më e re në përbërjen e 10-të parlamentare. Deputetët më të moshuar janë Stojan Millanov nga VMRO-DPMNE-ja dhe Ilija Nikollovski nga koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM.

Gjashtëmbëdhjetë përfaqësues të popullit që do të ulen në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, janë nga mosha 23 deri në moshën 35 vjeçare. Pas Qazimit, deputetët më të rinj janë 28 vjeçari Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, 29 vjeçarja, Monika Zajkova nga LSDM dhe Jovan Jauleski 29 vjeçar po ashtu nga VMRO-DPMNE-ja. Përndryshe, mosha mesatare e kësaj përbërjeje parlamentare është 45.
Në këtë përbërje parlamentare 77 deputetë janë meshkuj dhe 43 femra, dy më pak se në përbërjen e kaluar. Këto 36 përqind janë në kufinjtë e kufizimeve kushtetuese, ku në listat e kandidatëve një e treta duhet të jenë gra.

Kësaj përbërjeje parlamentare i bashkohen 28 deputetë të cilët ishin pjesë e përbërjes së kaluar, ndërsa Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Ivan Stoilkoviq do ta fillojnë mandatin e tyre të shtatë.
Kjo përbërje me siguri do të pësojë ndryshime, pasi një pjesë e deputetëve me siguri do të marrin funksione në pushtetin ekzekutiv dhe në vend të tyre do të vijnë kandidatët e radhës nëpër listat partiake.