Policia po qëndron në malësinë e fshatit Siniçan për të parandaluar çdo konfrontim të mundshëm mes banorëve që kanë interesa të kundërta. Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu thotë se policia nuk është për të penguar punimet por është aty si palë e tretë e këtij kontesti. Ai thotë se nëpunësit policorë në rrugë operative kanë siguruar informacione se mund të vihet deri te konfrontimi mes banorëve të Siniçanit dhe Urviçit.
“Policia është aty për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike. Për të shmangur çdo kërcënim që mund të ketë pasoja në jetën e qytetarëve. Në terren kemi dy grupe qytetarësh të cilët po protestojnë që kanë interesa të kundërta dhe policia është aty për të shmangur këtë konflikt. Policia do të jetë aty derisa kemi kërcënime për jetën edhe të një qytetari -deklaroi Agim Nuhiu, Ministër i Brendshëm.
Nuhiu shton se organi akuzës nuk mund të ndërhyjë në planin operativ të policisë derisa çështja nuk është në procedurë të paraparë me ligj.
“Me Prokurorinë ne kemi raporte dhe respektojmë punën e tyre por në procedurë para hetimore dhe hetimore, kur kemi të bëjmë me mbledhjen e fakteve, gjurmëve dhe provave për vepër penale. Ndërkaq, aspektin e sigurisë e kemi ne. Ne kemi detyrim të mbrojmë çdo qytetar – tha Agim Nuhiu, Ministër i Brendshëm.
I pari i policisë kërkon nga palët që rasti të mos keqpërdoret për qëllime politike dhe institucioneve t’i lihen duart e lira për ta zgjidhur çështjen në përputhje me ligjin.
Adrian Kerimi