Autoritetet shëndetësore regjistruan dje përsëri numër treshifror të pacientëve të infektuar të rinj me Kovid-19 në vend, por edhe numri i pacientëve të shëruar është gjithashtu i lartë. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se situata është e qëndrueshme dhe nën kontroll.
Sipas informacioneve nga institucionet kompetente, në 24 orët e kaluara, nga gjithsej 1971 teste të kryera, janë diagnostikuar 188 pacientë të rinj, ndërsa numri i shëruar është 268. Për fat të keq, bilanci i vdekjeve mbetet i njëjtë, gjegjësisht dje janë regjistruar pesë persona të vdekur.
Edhe më tej, numri më i madh i pacientëve janë nga Shkupi, ndërsa kryeqyteti është udhëheqës edhe në numrin e rasteve aktive.
Sipas njeriut të parë të shëndetësisë, gjendja është e qëndrueshme sepse një kohë të gjatë, nga gjithsej testet e bëra, pozitivë janë rreth 10 deri 15 për qind, ndërsa testimet zbulojnë numër të madh të rasteve asimptomatike.
Në deklaratën për televizionin “Telma”, Filipçe dje theksoi se kuadri është i organizuar mirë me sistemin e rotacionit të mjekëve dhe infermiereve nga repartet për mjekësi interne në repartet për infektologji. Spitalet, thotë ai, kanë kapacitet të mjaftueshëm duke pasur parasysh përqindjen të pacientëve të hospitalizuar, ndërsa së shpejti pritet të fillojë me punën e rregullt dhe SPQ “8 Shtatori”.