Përbërja e re qeveritare, Neziri: Nuk ka qeveri pa faktorin legjitim shqiptar!


Partitë politike shqiptare duhet të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të bisedojnë për tema të caktuara, me theks çështjen e kryeministrit shqiptar si dhe për çështjet tjera të cilat i tangojnë shqiptarët thotë për TVM2 analisti politik Xhelal Neziri. Sipas Nezirit çështje tjetër e rëndësishme është edhe pozicionimi i mëtejmë i partive politike shqiptare përballë atyre maqedonase. Pavarësisht epilogut nga takimet dhe komunikimit mes partive shqiptare, i njëjti nuk duhet të mungojë thotë Neziri.

“Është e rëndësishme që një takim të tillë të ketë dhe ky komunikim të mos humbet pa marrë parasysh se a do të ketë rezultat ose jo sepse ne e dimë se si përfundoi iniciativa e platformës së 2016. Nuk do të ishte keq që partitë shqiptare fillimisht mes tyre t’i harmonizojnë qëndrimet fundja edhe nëse nuk merren vesh. Tash varet nëse partitë shqiptare pik së pari do të merren vesh brenda tyre se çfarë rruge do të mbajnë pra a do të shkojnë si grup i

deputetëve shqiptarë në ato negociata si koalicion shqiptar apo do të arrijnë marrëveshje që ta mbështesin partinë fituese në zgjedhje që ajo të zhvillojë negociata për një platformë të caktuar.”- deklaroi analisti politik Xhelal Neziri. Neziri hedh poshtë mundësinë e krijimit të një qeverie brenda dy partive politike maqedonase përballë pozicionimit të palës shqiptare. Sipas tij qeveri pa praninë e faktorit legjitim shqiptar nuk mund të bëhet.

“Unë mendoj se do të ishte një skenarë shumë i keq që Qeveria të bëhet pa praninë e faktorit legjitim të shqiptarëve. Do të ishte një eksperiment i rrezikshëm për Maqedoninë në ndërkohë një Qeveri e tillë do t’i dezintegronte pikërisht ¼ të qytetarëve një gjë që nuk do të ishte e mençur për vet shtetin por edhe për vet partitë politike maqedonase.

Çfarë mund të bëjnë partitë shqiptare nëse i bashkojnë mandatet në atë rast mendoj se do t’i rrisnin edhe më shumë gjasat që ta fitojnë kryeministrin shqiptar. Pra kjo nuk është një ide që i dezintegron shqiptarët nga shteti, por mendoj se bën të kundërtën.”,– theksoi analisti politik Xhelal Neziri.
Ofertat programore të partive shqiptare, përveç koncepteve për avancimin e shqiptarëve, mbi të gjitha në fokus kishin integrimin në BE-se, si dhe ndërtimin e një kohezioni më të madh mes etnive në vend.