Dy projekte vaksinash kundër COVID-19, një britanik dhe një kinez, kanë dhënë një përgjigje imunitare të rëndësishme dhe demostruan sigurinë e tyre për pacientët, sipas rezultateve të dy provave klinike të publikuara sot në revistën mjekësore britanike “The Lancet”.
Projekti i parë, i zhvilluar nga Universiteti i Oxford-it, në partneritet me grupin farmaceutik “AstraZeneca”, ka gjeneruar një përgjigje të fortë imunitare në një provë në më shumë se 1 000 pacientë.
Projekti i dytë, mbi të cilin po punojnë studiuesit e Wuhanit, financuar nga CanSino Biologics, ka shkaktuar një reagim të fortë përsa i përket antikorpeve në një provë tjetër tek më shumë se 500 pjesëmarrës.
Këto prova klinike janë akoma në një fazë fillestare (faza 1/2 dhe faza 2), dhe efikasiteti i tyre do të vendoset në një provë të fazës së tretë, në një numër më të madh pjesëmarrësish, para se të parashikohet tregtimi në shkallë të gjerë.
Sidoqoftë, këto rezultate ishin të pritura me padurim pasi shumë studiues dhe laboratorë nëpër botë po garojnë kundër kohës për të gjetur një vaksinë të sigurt dhe efektive kundër COVID-19.
“Nëse vaksina jonë rezulton e efektshme, është një mundësi premtuese, sepse kjo lloj vaksine mund të prodhohet lehtësisht në një shkallë të madhe”, komentoi Sarah Gilbert, studiuese në Universitetin e Oksfordit.
Vaksina e Oxfordit dhe ajo e CanSino bazohen në një adenovirus të modifikuar, i cili nuk përsëritet, gjë që i bën më të sigurt, veçanërisht pacientët e brishtë. Asnjë nga dy provat nuk regjistroi efekte serioze negative. Efektet anësore më të vëzhguara ishin ethet, lodhja dhe dhimbja në vendin e injektimit.