Ali Ahmeti nuk heq dorë nga kushti për kryeministër shqiptar, zbulon skenarin që nxjerr jashtë loje Zaevin


Kreu i partisë BDI në Maqedoninë e Veriut Ali Ahmeti tha në “5 pyetje nga Babaramo” në Report Tv, se mund të bëjë koalicion për qeverinë e re edhe me partinë e ish kryeministrit Gruevski nëse pranon kushtin e vendosur nga BDI për kryeministër shqiptar.  “Sigurisht që ne nuk kemi dalë të bëjmë shaka me elektoratin tone dhe me shqiptarë, kërkesa jonë është serioze dhe dua të dëgjojë kundërshtarët pse nuk i pranon këtë gjë. A do bashkëpunonim me VMRO DPMNE? Përpara nesh i kemi të gjitha opsionet që jemi duke punuar dhe analizuar. Në 20 vite kemi punuar dhe bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar dhe kemi menaxhuar situata më të vështira dhe miqtë qe kemi krijuar nuk më duhen mua por i duhen shtetit për një zgjidhje sa më të mirë për kohën. Përpjekje për rikthimin VMRO DPMNE ka por ne do të marrim qëndrimin e duhur në interes të vendit dhe të qytetarëve. ka lëvizje po jo lëvizje të cilat jemi ende duke bërë vlerësime dhe duke analizuar dhe duke u menduare konsulta e sipër kemi një përvojë 20 vjeçare dhe ne kurrë nuk duam që vendit t’i  vijë e keqe, por kërkojmë politika të qëndrueshme dhe dobiprurëse për stabilitetin e vendit” tha Ahmeti.

I pyetur nëse kanë nisur negociatat me Zoran Zaev. “Jo, nuk kanë nisur negociatat me Zaev , akoma jemi në atë pushimin dhe qetësimin pas zgjedhore.  Ndoshta po bën përpjekje për ndonjë qetësi shpirtërore dhe ndoshta është lodhur ta nxjerrë BDI në opozitë dhe nuk ia doli. Më vjen rendë që ka ofenduar të gjithë shqiptarët duke thënë se ‘nuk vlejnë as 5 pare” megjithatë po tregohem i qetë dhe dobiprurës  pavarësisht se u preka” tha Ahmeti.

Kreu i BDI, Ahmeti tha gjithashtu se ka kontaktuar me partitë e tjera shqiptare për tu takuar  dhe disa kanë shprehur gatishmërinë e tyre. “Vendit i duhet stabiliteti, i kam kontaktuar partitë shqiptare dhe do të shohim se si të përballojmë të ardhmen dhe të gjejmë zgjidhje.  I kam ftuar dhe kam kërkuar të takohemi, ku secili ka shprehur gatishmërinë, por do të shohim për bashkëpunim pasi jemi ende në pritje të certifikimit të rezultateve” tha Ahmeti.