Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka qenë mbrëmë i ftuar në emisionin Pressing të T7. Gjatë intervistës me Leonard Kërqukin, Hoti ka folur rreth situatës me COVID-19, takimin në Bruksel, takimin që ishte planifikuar të mbahej me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, dëmet nga Qeveria Kurti dhe mundësinë që Partia Demokratike e Kosovës t’i bashkohet Qeverisë.
Duke folur për situatën epidemiologjike në vend, Hoti tha se po bëjnë gjithçka që kanë në dorë në mënyrë që të menaxhojnë situatën në mënyrën më të mirë.
Hoti tha se kanë tentuar që të zbatojnë protokollet e rekomanduara nga OBSH dhe institucionet e tjera shëndetësore në vend. Por, ai përmendi edhe qeverinë paraprake, pasi sipas tij, pas karantinës, hapja ndodhi shpejt.
“Hapja ndodhi 2 javë më përpara se sa është dashur. Kështu e gjetëm dhe u munduam që t’i zbatojmë protokollet e zbatuara nga OBSH”, tha Hoti në Pressing, derisa sipas tij, edhe qytetarët nuk respektuan rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Ndërkohë ka shpjeguar se u detyruan të marrin veprime më ‘ekstreme’ pasi numri i të infektuarve u rrit.
Hoti ka folur edhe për për rifillimin e dialogut me Serbinë, duke thënë se qëllimi i dialogut është njohja reciproke.
Ai e ka komentuar edhe momentin kur Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e pyeti nëse din serbisht.
“Ne kemi filluar këtë proces pas 20 muajve, me rekomandime të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Kemi dialogu me BE’në dhe partnerët për të arrirë një marrëveshje përfundimtare. E cila kryefjalë ka njohjen reciproke dhe normalizimin e raporteve. Interpretimi i mediave se si kemi hyrë në takim është çështje e gazetarëve dhe qytetarëve se si interpretohet”, është shprehur Hoti.
Tutje, ai tha se me Serbinë po dialogohet për njohje reciproke dhe mbylljen e të gjitha çështjeve me Serbinë, raporton Express.
“Ne hyjmë në këtë proces jo për të normalizuar vijat e autobusëve. Janë të rëndësishme, por pas 9 vjetëve dialog, ne duhet të dialogojmë për mbyllje të të gjitha çështjeve që kemi me Serbinë. Normalizimi i vetëm vjen vetëm me njohje reciproke”, shtoi Hoti.
Gjatë intervistës, Hoti ka folur edhe për takimin që ishte planifikuar të mbahej më 27 qershor në Washington, i cili u anulua për shkak të publikimit të akuzave nga Prokuroria Speciale ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ku pas kësaj edhe Hoti vendosi të mos shkojë në Amerikë.
“Ne vlerësuam se delegacioni u përgjysmua dhe vendosëm ashtu. Ne e kuptuam vetëm pasi zbritëm në Vjenë. Ishte befasi por është çështje e drejtësisë”, është shprehur Hoti.
Tutje ai tha se amerikanët kërkuan që takimi të mbahej, megjithatë e mirëkuptuan situatën.
“Ndodhi ajo që ndodhi, derisa delegacioni u përgjysmua vendosëm se është më mirë të shtyhet për një herë tjetër. Biseduam me ambasadorin Grenell dhe ata kërkuan që takimi të mbahet pavarësisht çka ndodhi. Por, pas diskutimeve dhe vlerësimeve të situatës që kam bërë, unë kam kërkuar që të shtyhet takimi dhe ata kanë mirëkuptuar”, ka thënë Hoti në T7.
I pari i ekzekutivit ka folur edhe për siç thotë dëmet që i bëri Qeveria Kurti. Ai është i bindur që në kohën e qeverisjes së tij ka arritur t’i sanojë të gjitha dëmet që i bëri Kosovës qeveria paraprake e udhëhequr nga Albin Kurti në raport me partnerët ndërkombëtar.
Hoti thotë se ai ka komunikim të vazhdueshëm me të gjithë mbështetësit e vendit.
Unë sot kam komunikime të rregullta me Shtëpinë e Bardhë, me kabinetin e kancelares Angela Merkel, me kabinetin e Macron dhe me Brukselin gjithashtu”, tha Hoti duke folur në emisionin Pressing me Leonard Kerqukin në T7.
“E kemi rikthy komunikimin pas një periudhe të rëndë të raporteve”, tha ai.
Hoti theksoi se në qeverisjen e tij gjithashtu rinisi procesi i dialogut. Për këtë, ai tha se është plotësisht i hapur ndaj opozitës për zhvillimet në Bruksel dhe ëashington.
Ai tha se ka komunikim me një pjesë të opozitës.
Në fund, Hoti është deklaruar edhe me mundësinë që Partia Demokratike e Kosovës të futet në koalicionin aktual qeverisës.
Hoti ka thënë se nuk ka ndryshim në skenën politike sepse qeveria është në kapacitete të plota.
“Nuk ka asnjë ndryshim në skenën politike. Qeveria është në kapacitete të plota kushtetuese. Presidenti gjithashtu”, është shprehur Hoti.
Tutje, Hoti refuzoi të komentojë diçka të tillë për të cilën tha se është situatë hipotetike, megjithatë nuk përjashtoi mundësinë që PDK’ja të futet në qeveri.
“Duhet të jemi realist që pas këtyre zhvillimeve mund të krijohet situatë e re politike, kur le të supozojmë se duhet të zgjedhim president të ri në kuvend. Por ne nuk mund të diskutojmë për situata hipotetike”, ka thënë Hoti.
Ai gjithashtu kujtoi se cilat janë zgjidhjet nëse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, jep dorëheqje për shkak të akuzave që janë drejtuar ndaj ti nga Prokuroria Speciale.
“Nëse krijohet një situatë e re të cilën nuk do ta doja, ku presidenti jep dorëheqje. Janë dy alternative, ose forcat politike të bëhen bashkë të zgjedhin presidentin e ri ose vendi të shkojë në zgjedhje”, shtoi Hoti.