Të nderuar aktivistë dhe votues të Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe AlternAtivA,
Të nderuar shqiptarë që besuat në programin “Shtet për të Gjithë”,
Të nderuar qytetarë që dëshiruat dhe e doni ndryshimin,
Fillimisht, më lejoni t’ju falënderoj për besimin, punën dhe përkrahjen e madhe që na dhatë gjatë fushatës dhe në ditën e votimit. Përkulem para secilit prej jush.
Shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë për lojërat që po bëhen me mosshpalljen e rezultateve të zgjedhjeve. Vonesat e tepruara na ngjallin dyshime për manipulim të mundshëm të procesit zgjedhor dhe rezultatit final. Ka shumë informata nga terreni që nuk përputhen me rezultatet e nxjerra nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ka shumë rezultate të dyshimta në shumë vendvotime.
Ka pasur tentime serioze, por edhe veprime që për qëllim kanë pasur tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve.
Shtabi jonë i përbashkët ka denoncuar dhjetëra raste të tilla në organet përkatëse, por edhe në institucionet relevante ndërkombëtare.
Apelojmë që sa më shpejtë të dilet para opinionit dhe të bëhen publike rezultatet e votës qytetare të shprehur më 13, 14 dhe 15 Korrik. Të mos krijohen vonesa të panevojshme. Të zbardhet çdo dyshim që ka të bëjë me manipulimin e vullnetit të qytetarëve. Institucionet të veprojnë.
Gjithashtu, ju njoftojmë se Shtabi i përbashkët i Koalicionit “Tash është Koha”, pas zyrtarizimit të rezultatit, do të përgatisë edhe ankesat e nevojshme, bashkë me fakte dhe prova konkrete për shkelje në procesit zgjedhor.
Qëndrojmë ballëlartë para jush dhe para premtimeve të dhëna. E kemi thënë e stërthënë edhe më herët. Sot, ne jemi premtimi që e kemi dhënë para jush. Premtimi të cilin ju e besuat dhe e votuat.
Me shumë respekt e konsideratë,
I juaji,
Ziadin Sela