Kufijtë e BE-së mbeten të mbyllur për qytetarët e Ballkanit Perëndimor

Shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të mbetet jashtë listës së vendeve për të cilat ishte rekomanduar të hiqen kuf*izimet për udhëtim të qytetarëve të tyre në vendet e Bashkimit Evropian.
Madje dy shtetet e vetme që ishin në atë listë Mali i zi dhe Serbia,tash janë hequr nga e njëjta.
Këtë e kanë vendosur sot përfaqësuesit e përhershëm të vendeve të BE-së në Bruksel.

Kjo listë, së pari, ishte përpiluar para dy javësh, bashkë me udhëzimet dhe rekomandimet e masave që duhet të ndërmarrin vendet e BE-së gjatë heqjes graduale të kufizimeve në kufijtë e jashtëm.
Në atë kohë Mali i Zi dhe Serbia ishin vendosur në këtë listë sepse numri i të infektuarve në këto shtete, në atë kohë, ishte më i vogël sesa në vendet tjera dhe i përafërt me mesataren e vendeve të BE-së.
Vendet tjera të rajonit, Kosova, Shqipëria Maqedonia e Veriut dhe Bosnje e Hercegovina as atëherë nuk ishin përfshirë në listë, sepse numri i të infektuarve në to ishte më i lartë.

Ndërkohë ka vazhduar me dinamikë edhe më të shpejtë të rritet numri i të infektuarve dhe të mbushen edhe kapacitetet e sistemeve shëndetësore të këtyre vendeve prandaj nuk ka pasur as mundësi minimale që ndonjë shtet tjetër i rajonit të përfshihet në listë.

“Ne nuk kemi bieduar fare që ndonjë vend ta shtojmë në listë. Ka ndodhur e kundërta. Kemi diskutuar që të heqim nga lista edhe Malin e Zi dhe Serbinë sepse atje po ashtu ka rritje dramatike në numrit të të infektuarve. Kjo ka ngritur shqetësime në shumë vende të Bashkimit Evropian” i ka thënë Radios Evropa e Lirë një diplomat evropian.

Fjala është vetëm për rekomandime nga ana e BE-së, ndërsa secili vend anëtarë ka mundësinë të vendosë nëse do të respektoj këto rekomandime apo jo.
Edhe rekomandimi i para dy javësh nuk u përfill nga shumica e shteteve anëtare të BE-së, të cilat mbajtën kufizimet edhe për shtetet që ishin në listë.
Disa shtete anëtare të BE-së kanë paralajmëruar edhe masa shtesë të kufizimit të udhëtimeve nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perendimor. Madje edhe për shtetasit e vet që vizitojnë këto vende do të kërkojnë të vetizolohen kur të kthehen.