Në kuadër të klinikave të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitaleve të përgjithshme në Kosovë aktualisht janë duke u mjekuar 304 pacientë të diagnostikuar me sëmundjen që e shkakton koronavirusi COVID-19.
Në njoftimin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) thuhet se 176 pacientë janë të shtrirë në QKUK, ndërsa 128 në spitalet e përgjithshme.
Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, 208 janë me oksigjenoterapi: 135 në QKUK dhe 73 në spitalet e përgjithshme.
Njëzetekatër pacientë vazhdojnë të jenë në gjendje të rënduar, nën përkujdesje intensive mjekësore, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.
Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 4,931 raste me koronavirus.
Prej tyre, 102 pacientë kanë vde*kur dhe 2,267 janë shëruar.
Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë shfaqur më 13 mars.
Të hënën, Qeveria e Kosovës ka miratuar masa shtesë për të frenuar përhapjen e koronavirusit.