Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka caktuar për të mërkurën në mesditë seancën plenare për interpelancën e VMRO-DPMNE-së ndaj qeverisë Zaev.
Të gjithë deputetët u përgatitën për këtë seancë, por më së shumti deputetët e opozitës maqedonase, të cilët edhe përskaj mungesës së numrit të nevojshëm të deputetëve, shpresojnë se do të marrin mbështetjen e deputetëve të tjerë dhe do ta rrëzojnë qeverinë.
“Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit janë të gatshëm për diskutim dhe për shpalljen e të gjitha argumenteve kundër qeverisjes së LSDM-së gjatë këtyre 10 muajve të fundit. Presim mbështetje nga të gjithë deputetët të cilët interesat shtetërore i kanë para interesave personale dhe partiake”,- u shpreh Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM shprehin zhgënjim për mënyrën e kthimit të opozitës në Kuvend, e cila, sipas tyre, duhej të bëhet kryekëput për mbështetjen e reformave urgjente e jo me interpelancë.
“Do ta rikujtojmë opozitën në qeverisjen kriminale të VMRO-DPMNE-së gjatë 10 viteve të fundit, do ta rikujtojmë përse vendi është në këtë gjendje që është dhe do ta rikujtojmë opozitën se gjatë këtyre 10 muajve të fundit qeveria e Maqedonisë i ndërmori të gjitha aktivitetet që t’i anulojë, zbusë dhe t’i largojë politikat dështuese të cilat vite më pare qeveria e kaluar i udhëhiqte në këtë shtet”,- u shpreh Tomisllav Tuntev nga LSDM.
Deputetët e Lëvizjes BESA nesër nuk do të votojnë pro interpelancës së VMRO-DPMNE-së.
“Qëndrimin tonë sa i përket mocionit të VMRO-DPMNE-së për votëbesim të qeverisë do ta shprehim nesër në seancë plenare dhe kuptohet që ne nuk do ta mbështesim këtë mocion për votëbesim të qeverisë edhe pse ne i kemi vërejtët tona sa i përket funksionimit të deritanishëm të qeverisë”,- theksoi Rexhep Memedi nga Lëvizja BESA.
Për të votuar mosbesimin e qeverisë nevojiten 61 vota të deputetëve në Parlament. Tre deputetët e VMRO-DPMNE-së, të cilët janë në paraburgim shtëpiak për ngjarjet e 27 prillit, nuk do të mund të votojnë interpelancën.