Shoku i Qemal Selës, të riut që kreu vrasjen e prindërve në Peshkopi, tregon për news 24 në një lidhje telefonike, për kushtet në të cilat jetojnë azilantët në Londër. Ermir Rryçi nga Kruja, aktualisht azilkërkues në Angli tha se e njihte Qemalin që kur ishte transferuar në kampin e Hammer Sword në Londër tre muaj më parë. Sipas tij kur e kishte takuar Qemalin ne fillim ishte një person normal, por pas izolimit që i bënë ai ndryshoi.
“E takova tre ditë më parë tregon Ermiri, dhe më tha se donte të shkonte në Shqipëri të takonte prindërit dhe më pas do të rikthehej, nuk e pashë shumë normal, dukej i shqetësuar, dicka i kishte ndodhur, ndoshta nuk e ka përballuar dot mendërisht izolimin. Në kamp na trajtojnë jo si azilantë por si të burgosur, birucet janë të vogla dhe pa kushte, është vetëm një krevat. Nuk na jep askush të drejtë për asnjë kërkesë tonën. Qemalin e futën në izolim pasi kishte pasur përplasje me një nga oficerët e kampit. Na izolojnë edhe pa shkak”, tha Ermiri.
Unë thotë Ermir Rryçi nga kampi i azilantëve në Londër, kam kërkuar vetë të hyjë në kamp, nuk kam shkelur asnjë rregull, përvec mungesës së dokumentacionit. Edhe mua më kanë izoluar disa herë për motive të kota por fatmirësisht kam arritur ta përballoj mendërisht. I bëj apel ministrit të Jashtëm thotë Ermiri të interesohet për ne, të vijnë këtu ne kamp dhe të shohë vetë kushtet, edhe mediave (shqiptare e angleze) të na filmojnë, nuk kërkojmë asgjë më shumë përvec të drejtave tona.