“Most” dhe “Civil”, më së shumti vëzhgues në zgjedhje

Edhe në këto zgjedhje, tradicionalisht, MOST dhe Civil do të kenë më së shumti vëzhgues. OJQ-të tashmë kanë filluar monitorimin e procesit zgjedhor. MOST ka 30 koordinatorë rajonalë në terren dhe do të monitorojë ditën e zgjedhjeve me 696 vëzhgues, që mbulojnë 20 përqind të numrit të përgjithshëm të vendvotimeve. Gjithashtu do të monitorojë dërgimin e materialeve nga Këshillat Zgjedhor dhe mbledhjen e votave në nivelin komunal, si dhe punën e KSHZ-së në ditën e zgjedhjeve.

“Do të kemi gjithashtu 55 ekipe të lëvizshme të përbërë nga dy vëzhgues në territorin e të gjithë vendit, që do të monitorojnë procesin, d.m.th. atmosferën jashtë vendvotimeve dhe mundësisht nëse ka fushatë para qendrave të votimit, blerje votash, etj …”-tha Zlatko Dimitrioski, Shoqata civile MOST.

Civil do të monitorojë zgjedhjet me 300 vëzhgues, që mbulojnë rreth 1.500 vendvotime ose 43 përqind të territorit.

“Monitorimi afatgjatë në 15 kategori, përfshirë mbrojtjen nga koronavirusi. Fokusi i posaçëm është financimi politik, lajmet e rreme, dezinformimi dhe gjuha e urrejtjes, keqpërdorimi i resurseve publike dhe korrupsioni”-pohoi Biljana Jordanoska, CIVIL.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri më tani ka lëshuar rreth 50 akreditime. 15 të OSBE-së, 6 të fondacionit IFES, 20 ambasadës amerikane, katër ambasadës franceze dhe një asaj kanadeze me seli në Beograd. Deri më tani, KSHZ ka akredituar vetëm një radio greke. Zgjedhjet e kaluara i ndoqën edhe vëzhgues nga Serbia, Shqipëria, Bullgaria dhe Turqia. KSHZ pret që kërkesa tjera të mbërrijnë deri më 9 korrik, kur edhe mbaron paraqitja. Komisioni Kundër Korrupsionit tashmë po monitoron procesin e zgjedhjeve me vëzhguesit e vet.