Në Klinikën Infektivë të QKUK-së vetëm brenda së shtunës dhe së dielës kanë kanë vdekur 12 persona të infektuar me COVID-19.
Vdekjet e orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë bërë që Klinika Infektive të rrethohet edhe nga forca të shumta policie. Gjithashtu aty kanë qëndruar edhe prokuror e hetues.
Situata pritet të sqarohet në vijim, meqë aty para pak minutash ka mbërritur edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Lidhur më këtë situatë të krijuar ka reaguar edhe profesori universitar, Blerim Latifi, i cili ka bërë thirrje që të mos sulmohen mjekët, pasi sipas tij faji është tek politikanët të cilët në 20 vjet të fundit nuk e kanë trajtuar fare sektorin e shëndetësisë.
“Mos i sulmoni mjekët! Ata nuk kanë faj.Faj kanë politikanët, të cilët tash e 20 vjet asnjëherë se kanë marrë seriozisht sistemin shëndetësor, duke e lënë në një gjëndje të mjerueshme, me kapacitete minimale për të përballuar kriza të tilla si kjo e covid-19. E vetmja rrugë e përballjes së suksesshme me pandeminë ka qenë ajo e masave të vetëkujdesit të popullatës. Ne nuk e bëmë këtë. Me t’u lehtësuar masat, iu rikthyem rutinës së para pandemisë, ndërsa në media dhe në publik filluan të dominojnë budalltë e teorive konspirative që e shpallnin pandeminë si një mashtrim të madh. Tash situata pandemike ka dalë jashtë kontrollit. Qeveria Hoti duket se nuk është në gjëndje ta përballoj kaosin.Askush nuk i trembet vendimeve të saj.Ministri i Shëndetësisë vepron në një terra incognita për të.Thjesht ai nuk ka haber për fushën të cilën e drejton.Ideja për të rikthyer karantinimin e shoqërisë nuk ka për të funksionuar më. Me pak fjalë ne jemi para një dështimi tjetër të madh”, ka shkruar Latifi./Express/