Sot vendimi për mbylljen ose jo të kufirit me Kosovën dhe Serbinë?!


Rritja e vazhdueshme e numrit të rasteve të reja nga koronavirus, paraqet kërcenim që kufijtë të mbyllen sërish. Pas më pak se një jave nga hapja e vendkalimeve kufitare, Komisioni për Sëmundje Ngjitëse nesër do të prononcohet nëse sërish do të vendosë regjim në kufijtë me Serbinë dhe Kosovën apo do t’i mbyllë vendkalimet kufitare me këto vende.

“Komisioni i sëmundjeve ngjitëse në mënyrë aktive po e ndjek gjendjen epidemiologjike me virusin korona në rajon dhe vendet fqinje si dhe mundësinë për kthimin e masave në drejtim të parandalimit të rreziqeve potenciale për shëndetin e qytetarëve të RMV-së”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, thotë se vendimi për mbylljen eventuale të kufijve, nuk do të jetë politik.

“Në këtë periudhë, sa i përket çështjes së kufijve, këtu nuk ka politikë. Kriteri kryesor është pasqyra epidemiologjike. Ne në këtë periudhë do të jemi në konsultime të vazhdueshme me të gjitha vendet që kanë interes. Sa më shumë u përmbahemi masave, mbajmë maska, mbajmë distancë, aq më mirë do të jetë pasqyra epidemiologjike dhe do të na hapen të gjithë kufijtë”, deklaroi Dimitrovi.

Ndërkohë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes epidemiologjike në Beograd, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq po i shqyrton mundësitë për shpallje të orës policore gjatë mbrëmjeve apo mbyllje të tërësishme të kryeqytetit.