Fillon regjistrimi në Komisionet Komunale Zgjedhore i personave me Kovid-19 dhe në vetizolim, i të sëmurëve dhe të sëmurëve kronikë për votimin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik. Ata të cilët dëshirojnë të votojnë këtë duhet ta bëjnë më së voni deri më 8 korrik në mesnatë.
Të sëmurët nga Kovid-19 dhe personat në vetizolim duhet të regjistrohen për votim në Komisionin Komunal Zgjedhor, përmes një të autorizuari, të paktën shtatë ditë para votimit. Deri atëherë për votim duhet të paraqiten edhe të sëmurët tjerë, ndërsa për këto zgjedhje edhe persona me sëmundje kronike. Ata deri te KKZ duhet të dorëzojnë dokumentacion adekuat mjekësor me të cilin duhet ta mbështesin kërkesën.
Atyre që në periudhën prej 8 deri më 15 korrik do t’iu konfirmohet testi pozitiv për Kovid-19 ose persona të cilët do të duhet të jenë në vetizolim nuk do të mund të regjistrohen për votim dhe të votojnë në zgjedhje.
Afati për regjistrim për votim të personave në arrest shtëpiak është 11 korriku në mesnatë.
Për shkak të gjendjes me Kovid-19 për realizim të të drejtës së votës personat pozitivë në sëmundje dhe në vetizolim janë formuar rreth qindra borde shëndetësore zgjedhore me nga tre punonjës shëndetësorë dhe përfaqësues të partive politike.
Për këto zgjedhje të pesta të parakohshme parlamentare, më specifiket deri më tani për shkak të virusit korona, fushata përfundon më 12 korrik në mesnatë, prej ku fillon heshtja. Më 13 korrik (e hënë) do të votojnë personat me Kovid-19 dhe në vetizolim, më 14 korrik (e martë) të sëmurët dhe të sëmurët kronikë dhe personat që gjenden në burgje dhe në arrest shtëpiak. Më 15 korrik votimi në zgjedhjet parlamentare do të fillojë në orën 7:00 të mëngjesit, dhe për shkak të gjendjes me Kovid-19, votimi do të vazhdohet dy orë. Votimi do të realizohet sipas rekomandimeve të obligueshme për votim të miratuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sipas rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse.
Më 13 korrik procesin e zgjedhjeve do ta zbatojë Bordi i Posaçëm Zgjedhor, që do të jetë i përbërë nga punonjës shëndetësorë dhe përfaqësues të partive politike. Anëtarët e BPZ, do të jenë të pajisur me mbrojtje personale e cila përbëhet nga: mantil për një përdorim, doreza për një përdorim, maskë standarde mbrojtëse dhe mjet për dezinfektim. Anëtarët e BPZ, sipas rekomandimeve të detyrueshme pajisjet mbrojtëse e ndërrojnë pas përfundimit të votimit në shtëpinë e secilit votues, gjegjësisht po aq herë sa so të shkojnë të vizitojnë shtëpi të personave ku do të votohet. Personi i cili do të votojë është i obligueshëm që të mbajë maskë mbrojtëse në hundë dhe gojë. Gjatë hyrjes në hapësirë (shtëpi) së pari personi që voton i dezinfekton duart. Gjatë hyrjes në shtëpinë e votuesit i cili voton para se t’i jepet fleta e votimit, votuesit i jepet maskë mbrojtëse nëse nuk e ka dhe doreza mbrojtëse. Gjatë dhënies së letërnjoftimit personi i cili do të votojë për pak e heq maskën për ta identifikuar dhe e mban distancën e rekomanduar minimum nga anëtarët e bordit zgjedhor, të cilët gjithashtu janë tërësisht të mbrojtur. Para se t’i jepet fleta për votim votuesi obligohet që t’i dezinfektojë duart në të cilat gjithashtu ka doreza. Pas përfundimit të votimit, personi që voton përsëri i dezinfekton duart. Në gjithë procesin e votimit detyrimisht sigurohet distanca minimale fizike prej një, deri në një metër e gjysmë.
Nuk do të dezinfektohet kutia e votimit pas secilit votues.
Proces i ngjashëm i votimit do të realizohet edhe më 14 korrik, por për dallim të 13 korrikut, procesi i votimit në shtëpitë e të sëmurëve, të sëmurëve kronikë më 14 korrik do ta bëjnë Bordet Themelore Zgjedhore. Ata nuk do të mbajnë mantile si mbrojtje, për shkak të asaj se nuk bëhet fjalë për raste pozitive nga Kovid-19, por, do të mbajnë maskë mbrojtëse, doreza dhe do të duhet të mbajnë distancë. Maskën anëtarët e KKZ duhet ta ndërrojnë në çdo katër orë.
Në votimin e 15 korrikut, të gjitha 3.840 vendvotimet do të dezinfektohen nga KSHZ-ja. Në ditën e votimit, secili votues është i detyruar të mbajë një distancë të mirëfilltë prej një e gjysmë metër ose dy para ndërtesës në qendrën e votimit, si dhe para hyrjes në secilin vendvotim, dhe në vetë vendvotimin. Para hyrjes, ai është i detyruar të dezinfektojë duart dhe të mbajë maskë. Asnjë votues nuk do të lejohet të hyjë në vendvotim përveç nëse më parë nuk i ka dezinfektuar duart dhe nuk ka vendosur maskë. Hapi tjetër është kur votuesi hyn në vendvotimin me maskë dhe ai / ajo është i detyruar të heq maskën që bordi e zgjedhjeve ta identifikojë. Duart duhet të dezinfektohen gjatë hyrjes dhe daljes nga vendvotimi.
Bordet zgjedhore brenda hapësirës janë të obliguar që të ulen në distancë të lejuar prej një metër deri një metër e gjysmë, dhe vazhdimisht të mbajnë maskë për mbrojtje, si dhe doreza. Votuesit nuk duhet të mbajnë doreza kur do të hyjnë në vendet e votimit./MIA