Keqpërdorime me kartelat pagesore, tregtarët po i blejnë ato


Tregtarët me pakicë i blejnë kartelat e personalizuara për një shumë më të vogël. Nëse kartela pagesore vlen nëntë mijë denarë, disa tregtarë janë të gatshëm që për ata të paguajnë tetë mijë denarë në kesh dhe të regjistrojnë në mënyrë fiktive një qarkullim në dyqanin e tyre. Burimet tona thonë gjithashtu se ka pasur raste kur në marketet më të mëdha, ose farmaci disa qytetarë kanë kërkuar që llogaria e tyre tu anulohet dhe shuma e paguar me kartelë t’u kthehet atyre në para. Nga Ministria e Financave për Alsat thanë se ata nuk kanë njohuri për këto raste të keqpërdorimeve të mundshme. Nga Ministria e Financave u përgjigjën me shkrim se Inspektorati i Tregut është institucion kompetent për veprim.

Nga Inspektorati i Tregut e hedhin topin në Ministrinë e Financave. Ata thonë se kompetencat e tyre vlejnë vetëm për produktet e blera në markete ose në qendrat e tjera të shitjes, ku shiten produktet vendase. Kontrolli tjetër kryhet nga Ministria e Financave.

“Nga Inspektorati i tregut për Alsat thonë se ata kanë bërë disa lëshime, ose lehtësime gjatë blerjes së produkteve vendore. Mjafton të shkruhet në deklarim “Republika e Maqedonisë”, “Maqedonia e Veriut ” ose e prodhuar në “Maqedoninë e Veriut”. Po ashtu lejohet që mallrat të jenë nga një vend i huaj, por të përpunohen në vend “.

Informacioni nga Financat thotë se mbi 100 mijë kartela pagesore me vlerë prej nëntë milion euro tashmë janë lëshuar për qytetarët. Numri i kartelave të dala nga bankat deri më tani arrin në 250 mijë, të cilat do të duhet të shpërndahen në periudhën në vijim. Sipas planit, deri në fund të kësaj jave, duhet të bëhen të gjitha 325 mijë kartelat me vlerë prej 28 milion euro. Kjo masë e qeverisë, sipas opozitës, është një ryshfet i pastër parazgjedhor.