“Emri”, protesta në Greqi përpara bisedës së pritur Zaev – Cipras


Në Greqi dje në 24 qytete janë mbajtur protesta kundër “karakterit grek të Maqedonisë”, ndërkaq edhe Athina edhe Shkupi janë në pritje të bisedës së paralajmëruar ose takimit eventual mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, njofton Portalb.mk.

Derisa grekët protestojnë, as në Shkup, as në Athinë nuk ka konfirmim zyrtar për atë se kur do të mundej që të ketë bisedë mes dy kryeministrave, për hapat e mëtutjeshëm të bisedimeve, me [ka do të konfirmoheshin të arriturat e deritanishme dhe eventualisht do të nënshkruhej marrëveshje për emrin.

Në sheshin e qytetit Pella, afër përmendores së Aleksandrit të Madh, është mbajtur tubimi qendror, në të cilin u mblodhën mijëra qytetarë, me flamuj grek dhe porosi se Maqedonia është greke. Protestat paralele në orën 10:30 sipas kohës lokale kanë filluar në 24 qytete të ndryshme. Protestuesit nëpër tërë Greqinë, kanë qenë në atmosferë të urtë, me përjashtim të ishullit Kreta, ku atje ka ndodhur një incident i vogël mes një grupi anarkistësh dhe policisë, gjatë së cilës është lënduar një polic.

Pala e Maqedonisë, nuk jep informata për atë se kur do të realizohet biseda e shumëpërfolur telefonike ose takimi mes dy kryeministrave.

Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski dje në konferencë për shtyp nuk precizoi se deri ku janë bisedimet dhe se a mund të pritet ndonjë bisedë telefonike ose takim mes dy kryeministrave.

Ish ministri i Punëve të Jashtme, deputeti aktual nga radhët e VMRO-DPMNE-së, në profilin e tij në “Facebook” dje ka shkruar se sipas burimeve të tij diplomatike, kryeministrat Zaev – Cipras do të takohen të enjten ose të premten, transmeton Portalb.mk.

“Të enjten ose të premten (këtë javë) do të ndodh takimi Cipras – Zaev në Prespën e Vogël të Greqisë dhe do të nënshkruhet marrëveshje për ndryshimin e emrit Republika e Maqedonisë. Koordinator kryesor për këtë ngjarje dhe nënshkrimin është Bojan Mariçiq, këshilltar në Kabinetin e kryeministrit”, ka shkruar ai.

Për këtë informatë Qeveria e Maqedonisë dje nuk dha informata duke thënë se “nuk komentojnë informata jo-zyrtare pa dallim nga cilat burime vijnë”.

Nga ana tjetër, Shtet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) shpresojnë që Maqedonia dhe Greqia do t’i mbarojnë bisedimet për emrin që të hapet rruga për hyrje të vendit në NATO në samitin e korrikut, ndërkaq i japin mbështetje të plotë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, ambasadorja e SHBA-së në NATO, Kej Bejli Hatçison.

“Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet, është i nevojshëm hapi final. Nga Samiti paraprak është e qartë se NATO është e gatshme që t’i fillojë bisedimet hyrëse me Maqedoninë menjëherë sa të zgjidhet çështja e emrit. Besoj se ministrat e dy vendeve punojnë shumë me përkushtim që të arrijnë deri në zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Sa të arrihet marrëveshja dhe kërkesa kyçe të plotësohet, vlerësoj se Maqedonia do ta fillojë procesin e hyrjes në NATO. Aleanca ishte e qartë se Maqedonia i plotëson kushtet, përveç emrit dhe sa të zgjidhet ajo ne e duam si partner të barabartë. SHBA fuqishëm e përkrah pranimin e Maqedonisë dhe shpresoj që ajo do të duhet që të ndodh edhe në samitin e ardhshëm, por ajo se çfarë kërkohet nga të dy vendet është që t’i mbarojnë bisedimet dhe të hapin rrugë për hyrje të Maqedonisë deklaroi Kej Bejli Hatçinson.

Kryeministri Zaev pardje deklaroi se është çështje ditësh kur do të ketë bisedë telefonike mes tij dhe Ciprasit dhe shtoi se për momentin ende po krijohen rrethanat që ajo të ndodh.