“Mos votoni babanë tim!”-Kandidati republikan merr goditjen e papritur nga vajza e tij

“Mos votoni babanë tim!”-Kandidati republikan merr goditjen e papritur nga vajza e tij
Publikuar 22:17 29 Qershor, 2020
Një kandidat në Miçigan për Dhomën e Përfaqësuesve, ka marrë një goditje të rëndë nga vajza e tij. Ai thotë se është shumë i zhgënjyer nga vajza, e cila u bëri thirrje votuesve në rrjetet sociale që të votonin për një kandidat tjetër dhe jo për babanë e saj.

Në një prononcim për Fox News, kandidati republikan Robert Regan tha: “Unë u lëndova. Dua të them që unë u lëndova shumë. Një goditje. Kur e pashë për herë të parë, ngela: Oh Zot, a e ke seriozisht?”

Vajza e Reganit, Stephanie, shkruante në rrjetet sociale: “Nëse je në Miçigan dhe mbi 18 vjeç, pash Zotin mos votoni për babanë tim si përfaqësues të shtetit. Thojini të gjithëve“.

Lidhur me këtë, Regan fajësoi ndikimin që kishte pasur tek e bija kolegji liberal ku ai e kishte çuar.

“Unë mendoj se ka të bëjë me indoktrinimin nga universitetet liberale majtiste, socialiste, marksiste“, tha ai. “Ju duhet të kuptoni se si janë këto kampuse kolegjesh. Këto gra dhe burra të rinj duan të futen në grup, dhe ne e kemi parë këtë për një dekadë, qoftë tek Ben Shapiro, Ann Coulter, Charlie Kirk. Secili nga këta njerëz që mundohet të flasë në kampus, e pëson. E gjithë ideja se ky është një bastion i fjalës së lirë dhe ideve, nuk pi ujë më.”

Regan theksoi se edhe pse fillimisht ishte lënduar nga mosmiratimi i së bijës, ai është krenar që ajo flet dhe i mbron idetë që ka.