Aktivistja thotë se gratë kosovare që pastrojnë nëpër shtëpitë e të pasurve po abuzohen


Aktivistja kosovare Valbonë Bajrami ka bërë një status duke avokuar për të drejtat e grave që pastrojnë nëpër shtëpitë dhe banesat e shtresës së pasur të shoqërisë në Kosovë.

Bajrami pretendon që shumica e këtyre grave punojnë me pagë ditore diskriminuese që sillet prej 10 deri në 20 euro. Ajo e konsideron një gjë të tillë si “abuzim i skajshëm krahas punës që e kryejnë.”

Në debatin publik nuk është folur më herët për këto gra që kryejnë shërbime të tilla për shtresën e shoqërisë që është e aftë të paguajë për to, përcjell Periskopi.

Bajrami nis avokimin e saj duke përmendur një rast personal ku kishte angazhuar një grua për t’i pastruar banesën.

Ajo pretendon që ka marrë vesh prej saj abuzimin që i është bërë nga persona të tjerë për të kryer punë të rënda krahas pagesës së vogël që do të merrte.

Më poshtë e keni statusin e plotë të saj:

Nuk e di nëse dikush e ka trajtu dukurinë e pastrueseve nëpër shpija private në Kosovë. Çmimi prej 10-20 euro në ditë asht abuzim i skajshëm krahas punës që e kryejnë.

Unë vetë kam pas angazhu një grua, e cila ishte në gjendje me ardhë e me pastru edhe për 10 euro sepse ishte në zor të madh. Natyrisht se nuk e kam lanë me atë cmim, sepse banesa ku jetojsha ishte 120 m2. Dhe nuk jam detaiste e tmerrshme që me ba mos me u ndje rehat. Që në ditën e parë, ja dorëzoj çelësat që mos t’i sillem nëpër kamë sa punonte. Dal në park të banesës. Nuk shkoi gjatë, e shoh të kacavjerrun në xhama të katit të 8, duke i pastru. Nuk e di as vetë qysh kam vrapu me shpejtësi me shku me ndalë. Ajo lloj pune ishte rrezik i madh, dhe nuk ja kërkova një gja të tillë. Pasi i jap qortim pozitiv, fillon me mu rrëfy se qysh në shpija të tjera që pastronte ja nxjerrin yndyrën për 10 euro. E kthejnë disa here me ja u ba xhamat pa asnjë shenjë, apo edhe e detyrojnë në temperatura të ulta me fërku cement.

Jam e fortë si karakter, sepse më ka kalitë puna me raste sociale. Por atë ditë kam shpërthye në lotë duke e dëgju një viktimë të sistemit kapitalist që ka 0 të drejta. Shteti as që asht interesu ndonjëherë për mirëqenien e tyne apo se në ç’kushte punojnë.

Edhe nëse dikush e favorizon kapitalizmin monopol në Kosovë, nuk janë kërkah me informata se sa paguhen shërbimet private dhe punët e krahut. Në US, më shumë të ardhura bën një pastrues/e shpishë private, se dikush që ka përgatitje shkollore. Konsiderohet punë lluksi, sepse njeriu të vjen në shpi dhe të shërben. Minimumi tani paguhen 20 dollarë në orë, derisa paga jem me nivel universitar asht nën 20 dollarë – e mora si shembull krahasues që me ju thanë që kërkah nuk jeni. Me abuzu gra deri në atë ekstrem vetëm pse janë në nevojë jetike, asht maja e hipokrizisë.