Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se, nga testimi i 355 personave në 24 orët e fundit, kanë rezultuar pozitivë 61 raste. Kjo e ka çuar numrin total të të prekurve me coronavirus në 2 330 persona. Sipas të dhënave zyrtare, një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është: 12 në Tiranë, 11 në Vlorë, 7 në Durrës, nga 5 raste në Kukës dhe Divjakë, nga 3 raste në Pukë, Korçë, Kurbin, 2 në Krujë dhe nga 1 rast përkatësisht në Shkodër, Fier, Lezhë, Has, Mirditë, Kamëz, Sarandë, Fushë-Arrëz, Selenicë, Belsh.
Në një deklaratë për mediat të Genta Qirjako nga Instituti i Shëndetit Publik, u bë e ditur se, dy persona kanë humbur betejën me Covid-19 në 24 orët e fundit. “Një 59-vjeçare nga Lushnja me insuficencë renale kronike dhe disa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe një pacient 77-vjeçar nga Vlora, i cili vuante nga hipertensioni, që trajtohej prej 10 ditësh në terapi intensive nuk kanë mundur të mbijetojnë pavarësisht mjekimit intensiv dhe përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor”, tha ajo.
Numri i personave të shtruar në Spitalin Infektiv vijon të rritet, ku aktualisht po trajtohen 81 pacientë, 12 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Ndërsa në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 1346 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht janë 931 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Nisur nga fakti se, ditët e fundit po vihet re shtim i rasteve në aktivitete biznesi, ndërmarrje me shumë punëtorë, institucione publike dhe private, ISHP bën apel për respektimin e rregullave. Ndërsa qytetareve u është bërë thirrje që të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
COVID-19 – Statistika (27 Qershor 2020)
Testime totale 25918
Raste pozitive 2330
Raste të shëruara 1346
Raste Aktive 931
Humbje jete 53 (Qarku Tiranë 30, Durrës 9, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 359
Durrës 180
Shkodër 156
Vlorë 96
Fier 44
Lezhë 31
Korçë 26
Kukës 16
Elbasan 11
Gjirokastër 7
Berat 5