Gashi: S’ka më diell në dhomën 9, ka kaluar në dhomën 5


Në Sheshin “Iliria” në Tetovë, koalicioni “Tash është koha”, ASH-AAA, prezantoi kandidatët për deputetë. Kryetari i Alternativës , Afrim Gashi, bartës i listës në zonën zgjedhore 2, tha se dita e zgjedhjeve, 15 korriku, është dita kur merret vendimi se në cilën derë do të hyjnë shqiptarët, atë me numër 5 apo 9. Shqiptarët që do të zgjedhin të futen në derën 9, sipas Gashit, do të shohin reprizën e asaj që i ka tronditur këto 18 vite. Dhoma me numrë 9, shtoi ai, s’ka më dritë sepse dielli aty ka perënduar.

“Unë nuk dua të flas fjalë të mëdha. Ne kemi bërë një program duke u bazuar në analiza të menduara mirë, duke i studiuar mirë, me ekspertë të përgjithshëm dhe kemi vendosur premtime të cilat ne besojmë se do t’i realizojmë. Për një gjë jam shumë i bindur, gjithë shqiptarët që do të futen në derën numër 5, më së paku që mund të kenë, aty janë shpresa, dëshira dhe vullneti i çeliktë për t’i shërbyer këtij populli dhe për t’i ngritur shqiptarët sa më lart” u shpreh kreu i Alternativës.