Kryeministri Avdullah Hoti sot ka zhvilluar një takim në Bruksel me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Në komunikatën për media të Zyrës së Kryeministrit thuhet se gjatë takimit, tema kryesore ishte liberalizmi i vizave për Kosovën.
“Kryeministri Hoti theksoi se liberalizimi i vizave mbetet ndër çështjet më urgjente në raport me Bashkimin Evropian. Më tej, kryeministri Hoti vlerësoi se për Qeverinë e Kosovës përmbyllja e këtij kapitulli është shumë e rëndësishme, në mënyrë që qytetarët e Kosovës, sikurse edhe fqinjët e tyre, të mund të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Por në komunikatën për shtyp të institucionit të BE’së, liberalizimi i vizave nuk është përmendur fare se është diskutuar gjatë takimit të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe kryeministrit Avdullah Hoti sot në Bruksel.
Në komunikatën për shtyp të Këshillit të Evropës, ndër të tjera thuhet se diskutimi mbi dialogun e lehtësuar nga BE’ja midis Beogradit dhe Prishtinës ishte në qendër të takimit.